Qentë endacakë në Prizren shqetësojnë banorët dhe turistët
Prania e qenve endacakë përbën sfidë për turizmin dhe sigurinë në Prizren, ndërsa komuna paralajmëron përfundimin e strehimores më 2027.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
PRIZREN — Prizreni mbetet ndër qytetet më të vizituara për vlerat historike dhe mikpritjen, por prania e qenve endacakë vazhdon të paraqet sfidë për zhvillimin e turizmit dhe sigurinë e qytetarëve. Turisti nga Shqipëria, Flamur Jahupaj, u shpreh se qyteti ofron bukuri e ushqime cilësore, por shtoi: «Ah, lëre mos e pyet, ajo është problem edhe në Shqipëri, me kope i kemi në Durrës ne». Ngjashëm, banori rezident Hilmi Bytyqi theksoi se situata përbën shqetësim të madh për fëmijët dhe gjithë qytetin. Një tjetër qytetar, Beqir Buzhala, vuri në pah mungesën e mirëmbajtjes së kafshëve dhe nevojën urgjente për dërgimin e tyre në strehimore. Për t'i dhënë zgjidhje këtij problemi, ndërtimi i një strehimoreje kishte filluar në vitin 2025. Drejtori i Bujqësisë në Prizren, Nderim Kadrijaj, deklaroi se «është një strehimore moderne, ku përveç trajtimit të qenve aty do të ndodhë edhe shërimi i plagëve apo operime të ndryshme ndaj kafshëve që ju ndodhin fatkeqësi, është me kapacitete të mëdha, diku tek 250 qen ka hapësirë». Kjo qendër përkujdesjeje pritet të përfundojë në fillim të vitit 2027.