Pse Europol i cilëson rrjetet shqiptare si kërcënim kyç për BE-në?
Raporti i dytë i agjencisë evropiane zbulon detaje mbi trafikun shumëtonësh të kokainës dhe mashtrimet miliona euroshe përmes qendrave telefonike në Shqipëri.
TIRANË — Agjencia evropiane Europol ka publikuar raportin e dytë mbi rrjetet kriminale që kërcënojnë Bashkimin Evropian. Ky dokument i ri vë theksin te roli i rëndësishëm i mafies shqiptare, e cila ka shtrirë ndikimin e saj në Amerikën Latine për trafikimin e kokainës drejt Evropës.
Grupet kriminale shqiptare përfitojnë nga lidhjet e ngushta me kartelet për të transportuar dërgesa shumëtonëshe droge. Europol sqaron se organizata italiane 'Ndrangheta ka krijuar rrugë të gjera të trafikut në Amerikën Latine dhe përdor pikërisht rrjetet shqiptare për të mbikëqyrur këto marrëveshje direkt në terren.
Disa nga këto rrjete shqiptare janë vendosur në Amerikën Latine për të negociuar marrëveshje me kartelet e drogës. Pjesëtarë të tyre udhëtonin rregullisht në Ekuador për të bashkëpunuar me kartelin vendas Los Lobos, duke siguruar kështu kontroll të plotë mbi procesin kriminal nga burimi deri te shpërndarja.
Një nga rrjetet shqiptare të hetuara përdorte kompani eksporti të frutave si mbulim për aktivitetet e paligjshme, duke fshehur drogën brenda ngarkesave të ligjshme. Sinjalizimet për kontejnerë të dyshimtë çuan në kontrolle të përqendruara dhe sekuestrime të shumta kokaine në portet kryesore të Bashkimit Evropian.
Përveç trafikut të kokainës, Europol identifikon krimin financiar si një tjetër kërcënim të madh. Një rrjet i organizuar kriminal menaxhonte disa qendra telefonike (call center) në Shqipëri, të cilat punësonin rreth 450 persona dhe operonin në mënyrë të strukturuar inndërmjet ekipeve të specializuara të koordinuara nga drejtuesit.
Ky rrjet përdorte reklama në rrjete sociale dhe motorë kërkimi për të promovuar platforma investimi që dukeshin të ligjshme. Pasi regjistroheshin në to, viktimat nga e gjithë Evropa kontaktoheshin nga punonjësit dhe bindeshin të transferonin shuma të mëdha parash që s'i merrnin më mbrapsht.
Skema e call center-ave u shkatërrua në vitin 2026 pas dy vitesh hetime ndërkombëtare, ndërsa dëmi total llogaritet të paktën 50 milionë euro. Kjo tregon se krimi financiar është bërë po aq i rrezikshëm dhe i sofistikuar sa trafiku tradicional i lëndëve narkotike.
Burim: Report Tv
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.