Pse deputetët e PD-së bojkotojnë seancën plenare të Kuvendit?
Partia Demokratike refuzon të marrë pjesë në punimet e Kuvendit derisa mazhoranca të përfshijë katër projektligjet e tyre në rendin e ditës. Çfarë ndodh me interpelancat dhe debatet?
TIRANË — Ndërsa protestuesit mbledhen para Parlamentit për të kërkuar largimin e qeverisë dhe klasës politike, deputetët janë mbledhur në sallën e Kuvendit për seancën plenare të radhës. Megjithatë, deputetët e Partisë Demokratike (PD) mungojnë plotësisht.
Disa deputetë të PD-së që kishin shkuar në Kuvend u kthyen menjëherë në selinë e partisë. Mungesa e tyre ka bllokuar zhvillimin e interpelancave të kërkuara nga grupi parlamentar, përfshirë atë të Ina Zhupës ndaj ministrit të Turizmit, Blendi Gonxhja, dhe seancën pyetje-përgjigje me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogun, e kërkuar nga Klevis Balliu.
Niko Peleshi deklaroi se kërkesat e deputetëve në fjalë konsiderohen tërhequr. PD ka shpallur zyrtarisht se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme, duke akuzuar mazhorancën se refuzon të përfshijë në rendin e ditës katër projektligje të propozuara prej tyre, të cilat janë pjesë e kërkesave të protestuesve.
Në deklaratën e partisë thuhet: "Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i PD-së ka vendosur të mos marrë pjesë në punimet e Kuvendit."
Ndërkohë, debatet në Kuvend janë përqendruar edhe në protestat kundër investimit në Zvërnec të Vlorës. Deputeti socialist Ardit Bido vlerësoi punën e SPAK-ut, i cili ka sekuestruar 128 milionë euro nga shitblerja e pronës në Zvërnec. Sipas tij, pas zgjidhjes së çështjes së pronësisë, paratë do t’i kalojnë pronarit real.
Bido kritikoi ashpër protestuesit dhe organizatorët e protestës, duke i quajtur "sharlatanë, delirantë dhe dështakë". Ai akuzoi Lëvizjen Bashkë dhe deputetin Redi Muçi për mospërfshirje në çështjen Çame, duke i etiketuar si "anti-shqiptarë". Muçi iu kundërpërgjigj duke denoncuar gjenocidin ndaj popullit çam dhe atë ndaj palestinezëve në Gaza.
Burim: Shqiptarja
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.