Pse Auditori po e kritikon KEK-un për tregtimin e rrymës me email?
Raporti i Auditorit zbulon se Korporata Energjetike e Kosovës ka menaxhuar ankandet e energjisë përmes një platforme të vjetruar dhe pa gjurmë sigurie.
PRISHTINË — Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur parregullsi të mëdha në KEK për vitin 2025. Ndërmarrja nuk përditësoi regjistrin e pasurive, ku figurojnë prona të huaja si ato të Infrakos-it në vlerë mbi 7.8 milionë euro apo toka në Podujevë prej 5 milionë eurosh.
Raporti vë në dukje se rivlerësimi u krye vetëm për tokat. Ndërkohë, 472 pasuri të tjera me vlerë neto 7.7 milionë euro u mbajtën sipas kostos fillestare. Ndërmarrja regjistroi gjithashtu 5,376 pasuri me vlerë neto zero, përfshirë objekte e makineri.
Një tjetër problem serioz është menaxhimi i kontratave met konsumatorët komercialë në tregun e liberalizuar. KEK ka nënshkruar marrëveshje furnizimi, por në 32 raste nuk ka kërkuar garanci bankare apo parapagesë, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të mosarkëtimit të të hyrave.
ZKA-ja gjithashtu zbuloi mungesë të dokumentimit në ndarjen e tepricave të energjisë. Pas pranimit të raporteve nga KOSTT, KEK nuk dokumentoi se si do të ndaheshin sasitë për tregtim përmes bursës ALPEX apo ankandeve, çka dëmton transparencën dhe kontrollin e brendshëm.
Procesi i ankandit për tregtimin e energjisë realizohet përmes një adrese e-maili në Microsoft Exchange Server 2010. Ky server ka arritur fundin e ciklit të mbështetjes, duke mos pranuar më përditësime të sigurisë dhe duke rrezikuar të dhënat nga sulmet kibernetike.
Për më tepër, kutia postare për pranimin e ofertave nuk ka të aktivizuar regjistrimin e aktiviteteve (audit logs). Si rrjedhojë, sistemi nuk ruan kohën e hapjes së email-it e as identitetin e përdoruesit, duke pamundësuar verifikimin e saktë të hapjes së ankandeve.
Kjo neglizhencë dëshmon se KEK-u po operon me standarde të pasigurta teknologjike në dëm të financave publike. Gjatë vitit 2025 dështuan dy procedura prokurimi për marrjen me qira të një platforme alternative, duke e lënë tregtimin e energjisë në mëshirë të fatit.
Burim: Zëri
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.