ASK: Mbi 6 mijë hektarë tokë bujqësore mbetën djerrinë më 2025
Si ndryshoi shfrytëzimi i tokave dhe numri i blegtorisë sipas raportit të fundit të ASK-së?
PRISHTINË — Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Ekonomive Bujqësore për vitin 2025, duke zbuluar një rritje të lehtë të sipërfaqes së shfrytëzuar të tokës bujqësore. Sipas të dhënave zyrtare, kjo sipërfaqe është rritur për 510.90 hektarë, apo 0.1%, krahasuar me vitin paraprak 2024.
Një rritje e ngjashme është vërejtur edhe te tokat e përbashkëta. Livadhet dhe kullosat, duke përfshirë tokën e përbashkët, kanë arritur në 216,697.39 hektarë gjithsej. Në vitin paraprak, kjo sipërfaqe ishte 216,534.33 hektarë, dhe ky zgjerim sipas ASK-së lidhet me shtimin e numrit të blegtorisë.
Toka e punueshme ose arat përbëjnë 45% të sipërfaqes së shfrytëzuar bujqësore, ndërsa kopshtet zënë vetëm 0.2%. Në total, toka e punueshme ka qenë 189,131.22 hektarë, ku pjesën më të madhe e përbëjnë drithërat me 128,190.63 hektarë apo 67.8% të sipërfaqes totale të punueshme.
Pas drithërave renditen bimët foragjere me 36,446.35 hektarë, perimet me 9,841.44 hektarë dhe patatet me 3,375.16 hektarë. Ndërkaq, bishtajoret zënë 2,257.45 hektarë, kulturat e tjera 2,556.27 hektarë dhe bimët industriale 1,254.60 hektarë. Ndërkohë, raporti tregon se në tërë vendin mbeten saktësisht 6,104.38 hektarë si tokë djerrinë.
Sa i përket trajtimit të tokës, gjatë vitit 2025 sipërfaqja e ujitur të paktën një herë ka qenë 34,240.28 hektarë. Në anën tjetër, të dhënat e ASK-së tregojnë se sipërfaqja e trajtuar me pesticide ka arritur në një shifër dukshëm më të lartë prej 123,045.50 hektarësh.
Në sektorin e blegtorisë, numri i gjedheve u rrit nga 240,848 në 241,423 krerë, ndërsa delet u shtuan në 211,178 krerë krahasuar me 209,947 sa ishin më parë. Ndonëse raporti tregon një stabilitet të lehtë, mbi gjashtë mijë hektarë tokë djerrinë dëshmojnë se potenciali bujqësor i vendit mbetet ende i pashfrytëzuar.
Burim: Lajmi.net
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.