Protesta e 22-të në Divjakë: Mazniku shpallet "non grata" nga qytetarët
Banorët kërkojnë që Divjaka të mbetet njësi e veçantë dhe kritikojnë ministrin Mazniku dhe deputetin Braçe.
LUSHNJË — Protesta kundër bashkimit të Bashkisë Divjakë me Bashkinë e Lushnjës ka hyrë në ditën e 22-të. Gjatë tubimit të mbrëmjes, banorët përsëritën kërkesat e tyre kundër shkrirjes së bashkisë dhe kërkuan që Divjaka të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë administrative.
Protestuesit iu drejtuan deputetëve të zonës dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak, duke u kërkuar të mbajnë qëndrim në mbështetje të kundërshtimit të bashkimit me Lushnjën. Në fokus ishin deklaratat kundër ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, të cilin qytetarët kërkuan me tone ironike ta shpallin "non grata" në Divjakë, duke e bërë përgjegjës politikisht për procesin e riorganizimit territorial.
Kritika pati edhe ndaj deputetit socialist Erion Braçe, duke rikujtuar qëndrimet e tij të mëparshme në mbështetje të Divjakës dhe duke ngritur pikëpyetje mbi pozicionin e tij aktual. Pas tubimit, protestuesit marshuan në rrugët e qytetit dhe njoftuan se protesta do të vijojë edhe nesër, duke bërë thirrje për pjesëmarrje më të madhe.