Prokuroria ngre aktakuzë ndaj 6 personave për planifikim vrasjeje
Të akuzuarit dyshohen për planifikim vrasjeje dhe sulme me armë
PRISHTINË — Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohen se, si pjesë e një grupi kriminal të organizuar, kanë planifikuar vrasjen e rëndë të një personi, si dhe sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese ndaj bizneseve të lidhura me të dëmtuarit. Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për identitetin e pesë prej të dyshuarve, të cilët janë Fatos Çollaku, Roland Beqiri, Demokrat Muçaj, Dardan Ramqaj dhe Shpend Kelmendi.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve A.H., D.R., D.M., F.Q., Sh.K. dhe R.B., për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Veprimet përgatitore për vrasjen e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Falsifikimi i dokumenteve”; dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës dhjetor 2024 – shkurt 2025, të pandehurit, duke vepruar si grup kriminal i organizuar, dyshohen se kanë planifikuar dhe ndërmarrë veprime për kryerjen e vrasjes së rëndë të një personi. Po ashtu, ata dyshohen se kanë planifikuar sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese ndaj bizneseve të lidhura me të dëmtuarit, me qëllim të shkaktimit të dëmit material, frikësimit të viktimave dhe demonstrimit të fuqisë së grupit kriminal.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Burim: Sinjali
— Redaksia ZHURMA