Prokuroria: Narkotikët e kapur në Kaçanik kishin destinacion Turqinë
Në aksionin e koduar «Kufiri 2» janë sekuestruar rreth 136 kilogramë marihuanë dhe janë ndaluar tre persona, ndërsa dyshohet edhe për përfshirjen e një zyrtari policor.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë planin taktik të koduar «Kufiri 2» në autostradën «Arbën Xhaferi», afër daljes për Doganaj të Kaçanikut. Gjatë këtij aksioni është gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike e dyshuar për marihuanë, në sasi prej rreth 136 kilogramë, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tre persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh nën dyshimin për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Sipas informacioneve fillestare nga hetimet, të dyshuarit janë shtetas të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, ku sipas detajeve të mediave bëhet fjalë për një grua dhe një burrë nga Kosova si dhe një shtetas nga Maqedonia e Veriut. Droga dyshohet se ishte nisur nga Shqipëria, me qëllim që përmes territorit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të dërgohej në destinacionin përfundimtar në Turqi. Ndërkaq, një person tjetër i dyshuar gjendet në arrati, kurse ekzistojnë dyshime edhe për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast, ndaj të cilit po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
Prokuroria do të vazhdojë me veprimet procedurale për ndriçimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave tjerë, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqesë pranë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar


