Prokuroria kërkon paraburgim për 20-vjeçarin nga Reçica e Madhe
Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka nisur hetimet ndaj një 20-vjeçari, i dyshuar për krime kibernetike dhe pornografi me fëmijë.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
TETOVË — Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka nisur procedurë hetimore ndaj një 20-vjeçari nga fshati Reçicë e Madhe, i dyshuar për disa vepra penale në fushën e krimit kompjuterik. Sipas hetimeve paraprake disamujore, i riu dyshohet se gjatë periudhës 2025–2026 ka administruar një grup ilegal në aplikacionin e komunikimit “Telegram”, përmes të cilit ofronte mjete dhe programe për mashtrime financiare dhe kthim të paligjshëm të fondeve.
I dyshuari po ashtu dyshohet për keqpërdorim të të dhënave personale, pasi ka administruar faqe interneti të lidhura me platformën “OLVX”, e cila shërbente si treg i paligjshëm për shitjen e të dhënave dixhitale të vjedhura dhe kredencialeve për qasje në llogari. Gjatë funksionimit të kësaj platforme janë ofruar mbi 1.500 të dhëna të vjedhura që u përkisnin personave fizikë dhe juridikë.
Gjatë kontrollit të kryer me urdhër të gjykatës, policia sekuestroi dy telefona celularë, ndërsa në një dosje të fshehur në njërin prej tyre u gjetën 29 video me përmbajtje eksplicite të akteve seksuale mes të rriturve dhe fëmijëve, duke ngritur dyshimet edhe për veprën e prodhimit dhe shpërndarjes së pornografisë me fëmijë. Për shkak të rrezikut të arratisjes, prokurori i ka kërkuar gjykatës caktimin e masës së paraburgimit.