Burgu i Idrizovës ende pa nismë konkrete për amnisti
Iniciativa për shkurtimin e dënimeve të të burgosurve nuk është dorëzuar ende.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Institucioni i vuajtjes së dënimit në Idrizovë nuk ka finalizuar apo dorëzuar ndonjë propozim zyrtar për zvogëlimin e dënimeve të personave të privuar nga liria. Çështja e lehtësimit të ngarkesës nëpër qeli është ngritur për shkak të kushteve të rënda dhe mungesës së hapësirave të mjaftueshme në këtë institucion. Zoran Jovanovski, drejtor i këtij burgu, është përgjigjur shkurt se puna për këtë ide po vazhdon, ndërsa nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve kanë bërë të ditur se një masë e tillë nuk është në plan për momentin.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se do ta shqyrtojë çështjen sapo dokumenti të dorëzohet zyrtarisht, duke shtuar se nuk ka njohuri për një ide të tillë. Nga Ministria e Drejtësisë theksuan se do të veprojnë në suazat ligjore, legjislacionin në fuqi dhe procedurat përkatëse. Ideja e drejtorit të këtij institucioni ndëshkimor, i cili ka kapacitet prej rreth 1800 vendesh, synon faljen e pjesshme të dënimit prej dhjetë deri në njëzet për qind për të ulur gradualisht numrin e të burgosurve. Ligji i fundit me përmasa të ngjashme amnistie u miratua gjatë vitit 2018, po ashtu për shkak të tejmbushjes, duke përjashtuar nga përfitimi autorët e veprave të rënda penale si vrasja, përdhunimi, terrorizmi dhe veprat penale kundër shtetit.