Prokuroria kërkon paraburgim 30-ditor për nënën dhe dy djemtë e saj
Si shpërtheu një mosmarrëveshje për emërtimin e një rruge në vrasje të rëndë në Kobaj?
PRIZREN — Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve në rastin e vrasjes së 27-vjeçarit në fshatin Kobaj të Komunës së Prizrenit.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari me inicialet Sh. O., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh, dhe një i mitur në ndalim 24-orësh, dyshohen se kanë kryer veprën penale "Vrasje e rëndë" në bashkëkryerje.
Ndërkaq, ndaj të dyshuarës A. O., e cila gjithashtu ndodhet në ndalim 48-orësh, është kërkuar paraburgim nën dyshimin për veprën penale "Shtytje në vrasje të rëndë". Ajo është nëna e dy të pandehurve.
Ngjarja ka ndodhur më 14 qershor 2026. Të dyshuarit dyshohet se, pas një konflikti të mëhershëm të shkaktuar nga mosmarrëveshjet lidhur me emërtimin e një rruge në lagjen e tyre, janë përfshirë fillimisht në një përplasje verbale dhe më pas fizike me viktimën A. O. dhe të dëmtuarin I. O.
Hetimet paraprake tregojnë se gjatë konfliktit janë përdorur mjete të mprehta – thika. Si pasojë e plagëve të marra në pjesën e gjoksit, viktima A. O. ka humbur jetën, ndërsa I. O. ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetën. Ai është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Prokuroria pretendon se veprimet e dy të dyshuarve janë kryer në bashkëkryerje dhe se ato janë nxitur nga e dyshuara A. O. Organet e drejtësisë pritet të vendosin lidhur me kërkesën për paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vazhdojnë.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.