Pse kushton më shumë produkti vendore në Kosovë?
Prodhuesit thonë se kostoja e prodhimit dhe subvencionet shtetërore ndikojnë në çmimet e larta
PRISHTINË — Pse një litër qumësht, një shishe vaj apo një produkt tjetër i prodhuar në Kosovë kushton shpesh më shumë se një produkt i ngjashëm i importuar? Është një pyetje që, pashmangshëm, shtrohet nga konsumatorët përballë rafteve të dyqaneve, ku, në shumë raste, produktet vendore nuk arrijnë të konkurrojnë me çmimet e mallrave që vijnë nga jashtë.
Prodhuesit thonë se energjia, transporti, paketimi, fuqia punëtore dhe lëndët e para e bëjnë prodhimin në Kosovë më të shtrenjtë, ndërsa produktet e importuara shpesh vijnë me avantazhin e subvencioneve shtetërore në vendet ku prodhohen. Në industrinë e qumështit, për shembull, vetëm grumbullimi dhe transporti i qumështit deri në fabrikë kushtojnë rreth 60 centë për litër, thotë Alajdin Fusha, pronar i qumështores Abi në Prizren.
Më pas vijnë përpunimi, paketimi, energjia dhe shpenzimet e tjera. “Në fund, një litër qumësht në qese duhet të shitet rreth 80 deri në 85 centë vetëm për t’i mbuluar kostot”, thotë Fusha për Radion Evropa e Lirë. Ai tregon se produktet e tij – varësisht llojit – janë nga 10 deri në 20 centë më të shtrenjta se ato të importuara.
Por, fenomeni nuk kufizohet vetëm te qumështi. Në disa dyqane në Kosovë, edhe produkte të tjera vendore shiten me çmime të njëjta ose më të larta se ato të importuara. Në një rast, një litër vaj i importuar kushtonte 1.72 euro, ndërsa një litër vaj i prodhuar në Kosovë 1.89 euro.
Përballë kësaj situate, disa konsumatorë thonë se origjina e produktit ka kaluar në plan të dytë. Ajo që vendos gjithnjë e më shpesh se çfarë përfundon në shportë, është kostoja. Hana thotë se do të donte të blinte më shumë produkte vendore, por buxheti nuk ia lejon gjithmonë.
“Qumështin dhe kosin zakonisht i marr vendore, por nëse janë më të shtrenjta, nuk mundem. E blej atë që është më lirë, edhe nëse është i importuar. Më vjen keq”, thotë ajo.
Edhe Gentiana Shatri thotë se gjatë blerjeve i kushton rëndësi vendit të origjinës së produktit, por vetëm pasi ta ketë parë çmimin. “E shoh edhe nga vjen produkti, por normalisht e shoh edhe çmimin”, thotë ajo.
Kjo prirje, sipas ekonomistëve dhe përfaqësuesve të biznesit, është bërë më e dukshme në një kohë kur fuqia blerëse e qytetarëve është vënë nën presion. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kostot e prodhimit janë rritur për 2.3 për qind në tre muajt e parë të këtij viti.
Në të njëjtën kohë, inflacioni ka arritur në 6.8 për qind, i nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i ushqimeve, transportit, energjisë, ujit dhe strehimit. Ekonomistët vlerësojnë se si paga mesatare, e cila është 713 euro, si ajo minimale, e cila nga ky muaj është rritur në 500 euro, janë të pamjaftueshme për të përballuar rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës për shumë familje.
Bizneset kërkojnë më shumë mbështetje nga shteti Përfaqësuesit e bizneseve thonë se prodhuesit vendorë nuk mund ta fitojnë betejën me importin vetëm duke ulur fitimin. Sipas tyre, problemi qëndron te kostot e larta të prodhimit dhe mungesa e politikave që do t’i bëjnë produktet kosovare më konkurrueshme.
Burim: Kallxo, https://kallxo.com/lajm/ne-raftet-e-dyqaneve-importi-mund-produktin-kosovar/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.