Potenciali minerar tërheq interesimin amerikan, kërkohen institucione funksionale
Sektori i minierave dhe lëndëve të para në Kosovë ofron mundësi për investime të huaja, por kërkon heqjen e barrierave burokratike dhe përmirësimin e rregullatorit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Potenciali minerar dhe lëndët e para kritike në Kosovë mund të tërheqin investime amerikane dhe ndërkombëtare, por zhvillimi i këtij sektori kërkon institucione funksionale dhe politika afatgjata. Kështu u theksua gjatë diskutimit «Sektori minerar dhe lëndët e para kritike në Kosovë: Mundësitë e investimeve për bizneset amerikane», organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Komitetin e Grave në Energji dhe Miniera.
Udhëheqësja e Komitetit të Grave në Energji dhe Miniera, Shqipe Vela, tha se pasuritë natyrore të vendit paraqesin mundësi për zhvillim industrial, krijim të vendeve të punës dhe rritje të konkurrueshmërisë ekonomike. Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvend, Arben Mustafa, tha se kërkesa globale për burime të sigurta të lëndëve të para krijon mundësi të reja dhe shprehu përkushtimin për rishikimin e legjislacionit.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Triera Kasumi Berisha, theksoi se zhvillimi i sektorit duhet të fuqizojë industrinë vendore dhe të krijojë mundësi për përpunimin e lëndëve të para brenda vendit, duke veçuar ndërmarrjen «Trepça» si aset strategjik. Ajo bëri të ditur se Ministria synon avancimin e vlerësimit të pasurive minerale dhe hartimin e një strategjie të re minerare. Rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Nurten Deva, kërkoi bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet universiteteve, institucioneve publike dhe kompanive private.
Në anën tjetër, kryesuesi i Odës së Minierave të Kosovës, Mentor Demi, ngriti shqetësime për funksionimin e institucioneve rregullatore, veçanërisht Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, duke thënë se vonesat po pengojnë projektet private. Ai përmendi raste të investitorëve ndërkombëtarë që janë përballur me bllokim projektesh për shkak të mosveprimit institucional.