Noka thotë se PD-në nuk e shkul askush nga sheshi
Tensione dhe përplasje verbale e fizike janë regjistruar gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit mes studentëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Një protestë e zhvilluar përpara Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes studentëve dhe militantëve të Partisë Demokratike. Tubimi, i cili ka nisur që nga ora 14:00, ka shënuar momente përplasjeje pasi protestuesit që ndodheshin fillimisht aty nuk kanë pranuar afrimin e deputetëve dhe simpatizantëve opozitarë, duke kërkuar largimin e tyre dhe duke u bërë thirrje se opozita janë vetë ata. Të rinjtë dhe studentët e pranishëm kanë lëshuar thirrje të tilla si «Rama në burg, Berisha në burg» dhe «Si u shite gjithë këto vite, Partia Demokratike?», ndërsa është krijuar një kordon për të penguar demokratët.
Pas tensioneve të regjistruara në shesh, ka reaguar deputeti Flamur Noka, i cili ka deklaruar se Partia Demokratike nuk do të lëvizet nga askush prej protestës. Duke folur për mediat, Noka ka akuzuar se thirrjet kundër krerëve politikë vijnë nga mbështetësit e Arlind Qorit, duke shtuar: «Këtu Partinë Demokratike nuk e shkul askush nga sheshi, për këtë të jeni të sigurt. Ky është mesazhi. Ata qorristat do e marrin përgjigjen një për një».