Policia: 19-vjeçari voziti BMW-në me 170 km/h pa patentë shoferi në Ferizaj
Një 19-vjeçar u identifikua pasi publikoi pamjet duke vozitur me 170 kilometra në orë në një zonë urbane ku kufizimi ishte 40 km/h.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
FERIZAJ — Policia e Kosovës ka identifikuar një 19-vjeçar, i cili kishte publikuar një incizim duke drejtuar veturën e tipit BMW me shpejtësi prej 170 kilometrash në orë në një zonë urbane. Rasti ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ku kufizimi i shpejtësisë ishte 40 kilometra në orë.
Gjatë verifikimeve, autoritetet policore kanë konstatuar se drejtuesi i automjetit me targa vendore, i identifikuar me inicialet R.T., nuk posedonte patentë shoferi. Ai ka pranuar se ishte personi që drejtonte veturën në momentin e incizimit të publikuar në rrjetet sociale.
Ndaj të riut janë ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore dhe është iniciuar kundërvajtje për shqyrtim në gjykatë. Policia Rajonale u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi.