PDK në Gjilan kërkon llogaridhënie pas ngjarjeve tragjike
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, ka reaguar pas muajit të rëndë dhe ngjarjeve tragjike të tri javëve të fundit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, ka kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie pas ngjarjeve tragjike të tri javëve të fundit, ku pesë qytetarë kanë humbur jetën në rrethana makabre. Sipas këtij subjekti politik, qyteti po përballet me periudhën më të rëndë të sigurisë publike e sociale në historinë e pasluftës, ndërsa kjo gjendje vjen si pasojë e mosfunksionimit ndërinstitucional dhe mungesës së koordinimit mes autoriteteve lokale e qendrore.
Në reagim theksohet se institucionet komunale, qendrore dhe sistemi i drejtësisë kanë dështuar të ofrojnë mekanizmat mbrojtës për qytetarët, duke treguar një qasje burokratike dhe reaktive. PDK-ja vlerëson se Këshilli Komunal për Siguri dhe Bashkësi në Gjilan ka shfaqur pasivitet me pasoja fatale dhe kërkon funksionalizimin e menjëhershëm të tij, si dhe mbështetje reale për strehimoret, qendrat për punë sociale dhe mekanizmat mbrojtës kundër dhunës në familje.