Mallra të padeklaruara zbulohen në një kamion në Han të Elezit
Dogana e Kosovës ka ndaluar mallra të padeklaruara në vlerë rreth 2,400 euro në pikën kufitare.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Gjatë kontrolleve në hyrje të Republikës së Kosovës në pikën e kalimit kufitar në Han të Elezit, Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara brenda kabinës së një kamioni. Zyrtari doganor ka ndërmarrë verifikimin e dokumentacionit dhe e ka krahasuar atë me gjendjen faktike të ngarkesës, ndërsa pas dyshimeve të ngritura ka zgjeruar kontrollin edhe në kabinën e automjetit transportues.
Gjatë këtij kontrolli janë gjetur 16 copë dizne për vetura dhe 250 copë mbajtëse plastike që nuk ishin deklaruar. Vlera e përgjithshme e këtyre mallrave, pa përfshirë detyrimet doganore dhe tatimore, llogaritet të jetë afërsisht 2 mijë e 400 euro. Mallrat janë ndaluar nga autoritetet, kurse rasti po trajtohet në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.