Pse rriten OPEC+ prodhimin e naftës?
OPEC+ ka rënë dakord për një tjetër rritje të prodhimit të naftës, duke nisur nga muaji gusht, pas rihapjes graduale të ngushticës së Hormuzit për eksportet e naftës
— BAKU, 5 korrik /ATSH/- OPEC+ ka rënë dakord për një tjetër rritje të prodhimit të naftës, duke nisur nga muaji gusht. Sipas deklaratës së publikuar sot, vendimi parashikon rritjen e furnizimit global në një moment kur çmimet e naftës po bien, si pasojë e rihapjes graduale të ngushticës së Hormuzit për eksportet e naftës.
Grupi i vendeve prodhuese, ka vendosur të rrisë kuotat me 188,000 fuçi në ditë nga gushti, pas rritjeve të ngjashme të miratuara për qershor dhe korrik. Shtatë anëtarët kryesorë të OPEC+ — që përfshin OPEC dhe aleatë si Rusia — kanë rritur kuotat e prodhimit nga prilli deri në korrik me afro 800,000 fuçi në ditë.
Megjithatë, kjo rritje ka mbetur kryesisht në letër, për shkak të konfliktit SHBA–Izrael–Iran, i cili kishte ndërprerë qarkullimin e tankerëve në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për eksportet e naftës në botë.
Prodhimi nis të rikuperohet Sipas të dhënave të OPEC, prodhimi i OPEC+ ra në 33,13 milionë fuçi në ditë në maj, nga 42,77 milionë në shkurt. Në qershor prodhimi nisi të rimëkëmbet, pasi SHBA-ja ndërmori hapa për të ndihmuar Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera të grupit, të rifillojnë eksportet, por ende mbetet nën nivelet e para luftës.
Pavarësisht ndërprerjeve të vazhdueshme, çmimet e naftës janë kthyer afër niveleve të para konfliktit, të ndikuara nga kërkesa më e ulët e Kinës, rritja e eksporteve nga prodhues jashtë Lindjes së Mesme dhe lëshimi rekord i rezervave strategjike nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
Analisti i UBS, Giovanni Staunovo, tha se fokusi në afat të shkurtër, do të mbetet te kalimi i tankerëve përmes Hormuzit dhe ritmi i rikuperimit të kërkesës globale, veçanërisht nga Kina. Presioni për kuota më të larta Iraku po kërkon një rritje të mëtejshme të kuotave, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe janë tërhequr nga marrëveshja e grupit, duke argumentuar se duan ta përcaktojnë vetë, kapacitetin e tyre të prodhimit pa kufizime.
OPEC+ përfshin 21 vende, përfshirë Iranin, por vitet e fundit menaxhimi i përditshëm i prodhimit, është bërë kryesisht nga shtatë prodhues kryesorë: Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Kuvajti, Algjeria, Kazakistani dhe Omani. Këto vende po vijojnë rritjen graduale të prodhimit, në kuadër të shfuqizimit të një uljeje prej 1,65 milionë fuçi në ditë, të dakorduar në vitin 2023.
Sipas llogaritjeve, pas rritjes së prodhimit në gusht, grupit do t’i mbetet vetëm një pjesë e vogël e uljeve për t’u kthyer plotësisht në treg, ndërsa një rritje e ngjashme në shtator, do të përmbyllte plotësisht rikthimin e prodhimit në nivelet e mëparshme.
Burim: ATSH, https://ata.gov.al/2026/07/05/baku-opec-rrit-prodhimin-e-naftes-pas-normalizimit-te-eksportit-ne-hormuz/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.