Një muaj paraburgim për Gani Gecin nën dyshimin për kanosje
Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit për ish-deputetin, ndërsa familjarët kanë qëndruar para Pallatit të Drejtësisë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj ish-deputetit Gani Geci. Ai dyshohet se ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Sipas organit të akuzës, rasti ka ndodhur në zyrat e një portali në kryeqytet, pas publikimit të një shkrimi në rrjetin social Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci. Pasi i dëmtuari kishte refuzuar të largonte ose të ndryshonte përmbajtjen e postimit, dyshohet se i është drejtuar me fjalët «Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra».
Gjatë zhvillimit të procedurave para gjykatës, një numër i madh i familjarëve të ish-deputetit janë mbledhur dhe kanë qëndruar në hapësirat para objektit të Pallatit të Drejtësisë.