Analizë e Gurakuç Kuçit
Tani, 22 vjet pas trazirave të marsit dhe në dritën e rishikimit të ngjarjeve të viteve të fundit, si sulmi terrorist në Banjskë, sulmi ndaj Ibër-Lepencit dhe zbulimi i një rrjeti spiunazhi të lidhur me BIA-n në Kosovë, trazirat e marsit marrin një kuptim më të qartë politik dhe strategjik. Këto ngjarje shfaqen si pjesë e një logjike ku kriza e sigurisë, infiltrimi dhe destabilizimi përdoren për ta mbajtur veriun e Kosovës të kontestuar dhe shtetësinë e Kosovës të papërfunduar.
Infrastruktura dhe kontrolli ilegal i veriut (2000–2004)
Pas luftës në Kosovë, situata nuk u karakterizua vetëm nga tranzicioni institucional dhe vendosja e autoritetit nga misionet ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe nga krijimi i një realiteti paralel nga strukturat ilegale serbe në enklavat serbe, e veçanërisht në veri të Kosovës. Raportet e organizatave ndërkombëtare, përfshirë International Crisis Group (ICG), i përshkruanin qartë këto fenomene dhe, për këtë arsye, që në vitin 2002, evidentuan ndikimin dhe financimin nga Serbia për ndarjen e Kosovës.
Ky grup kërkoi në mënyrë eksplicite presion ndaj Beogradit për të ndërprerë mbështetjen ndaj strukturave paralele në veri të Mitrovicës. Raporti theksonte infiltrimin e Beogradit në Kosovë dhe financimin e këtyre strukturave, duke përfshirë në qendër grupin “Rojat e Urës” (Bridge Watchers). Financimi kryhej drejtpërdrejt nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP) dhe përbënte shkelje të Rezolutës 1244 të OKB-së. Po ashtu, raporti theksonte vështirësitë e UNMIK-ut për të vendosur autoritetin përtej lumit Ibër, pikërisht për shkak të pranisë së institucioneve paralele të financuara nga Beogradi.
ICG i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ndihma financiare ndaj Serbisë të kushtëzohej me ndërprerjen e mbështetjes për këto struktura. Po ashtu, u propozua që Serbisë t’i mohohej anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe me NATO-n dhe në marrëveshjet me BE-në. Sipas analizës, Beogradi nuk do të bashkëpunonte pa presion serioz ndërkombëtar, të ngjashëm me atë që u përdor për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, pasi stabiliteti politik në Kosovë ishte në rrezik.
Raporti analizonte në detaje përpjekjet e Serbisë për ndarjen dhe kantonizimin e Kosovës, duke i identifikuar ato si strategji për të ruajtur kontrollin mbi veriun dhe për të diktuar statusin përfundimtar të Kosovës. Mitrovica përshkruhej si de facto e ndarë dhe synimi i Beogradit si ndarja përfundimtare. Plani i kantonizimit synonte ndarjen gjeografike përmes “vetëqeverisjes”, ku serbët do të kontrollonin rreth 30% të territorit të Kosovës, të ndarë në pesë kantone. Madje u propozua edhe modeli i Bosnjës me krijimin e “entiteteve”.
Këto ide promovoheshin nga figura të rëndësishme politike serbe, nga qeveria e deri te përfaqësuesit në Kosovë, përfshirë Vojislav Koštunicën, Nebojsha Çoviqin, Branislav Krstiqin, Oliver Ivanoviqin, Marko Jakšiqin dhe Milan Ivanoviqin. Qëllimi ishte i qartë: të provohej se multietniciteti nuk funksionon.
Sipas ICG-së, vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2001, Beogradi kishte derdhur mbi 50 milionë euro në Kosovë. Madje sugjerohej që Banka Botërore të ndërpriste ndihmën për Serbinë, pasi këto mjete përfundonin indirekt në financimin e strukturave paralele.
Fuqia e këtyre strukturave shihej edhe në përplasjet me UNMIK-un, ku në një incident me grupin e Slavoljub Joviq “Pagi”, u plagosën 26 policë ndërkombëtarë.
E gjithë kjo përbënte një provokim të strukturuar dhe një mekanizëm për të krijuar situata që çonin drejt ndarjes së Kosovës përmes segregimit, barrikadave, përplasjeve dhe tensioneve të vazhdueshme.
Trazirat e marsit 2004 dhe indiciet për përfshirjen e Serbisë
Raportet e kohës theksonin gjithashtu tendencat e Serbisë për kantonizim ose ndarje të Kosovës. Raporti i Human Rights Watch për trazirat e marsit 2004 evidentonte shqetësime të mëdha te pala shqiptare për strukturat paralele të krijuara nga Beogradi. Dështimi i UNMIK-ut për t’i sfiduar këto struktura po e shndërronte kantonizimin në një realitet të kryer.
Raporti përmendte edhe “Rojat e Urës” si pikënisje të dhunës në shumë raste, me bazë në kafenenë “Dolce Vita” pranë urës.
Nebojsha Çoviq, në një intervistë, zbuloi se gjatë trazirave kishte pasur një operacion të fshehtë ushtarak serb për “mbrojtjen” e Manastirit të Graçanicës. Ai pranoi se kishte hyrë në Kosovë me një grup të përbërë nga parashutistë dhe policë, duke u pozicionuar brenda manastirit. Madje, ai kishte kontaktuar komandantin e KFOR-it për takim, duke e befasuar atë me faktin se tashmë ndodhej aty.
Kjo deklaratë sugjeron qartë se Serbia kishte dijeni paraprake për zhvillimet që do të ndodhnin.
Shfrytëzimi politik i trazirave dhe avancimi i planeve për ndarje
Një raport nga Borut Grgiç dhe Jana Urh theksonte se menjëherë pas trazirave, në prill 2004, Beogradi prezantoi një plan për ndarje etnike përmes decentralizimit, që synonte ndarje faktike.
Analiza të tjera nga autorë si Tim Judah dhe Janusz Bugajski argumentonin se krijimi i pesë rajoneve autonome serbe ishte një hap drejt ndarjes së Kosovës. Bugajski paralajmëronte se vonesat në përcaktimin e statusit nxisnin radikalizmin dhe planet për ndarje.
Trazirat u përdorën nga Beogradi për të argumentuar se bashkëjetesa multietnike është e paqëndrueshme, duke shtyrë përpara projektet e kantonizimit dhe ndarjes që kishin nisur më herët.
Në vitin 2005, Nebojsha Çoviq u shkarkua mes përplasjeve me Koštunicën dhe akuzave për keqpërdorim fondesh të destinuara për serbët në Kosovë. Ai u zëvendësua nga Sanda Rašković-Ivić.
Vazhdimësia e një strategjie: nga marsi 2004 deri sot
Sot, 22 vjet pas trazirave të marsit dhe në dritën e ngjarjeve të fundit – si sulmi në Banjskë, incidentet në Ibër-Lepenc dhe rrjetet e spiunazhit – këto zhvillime marrin një kuptim më të plotë strategjik.
Ato shfaqen si pjesë e një strategjie të vazhdueshme, ku krizat e sigurisë, infiltrimi dhe destabilizimi përdoren për të mbajtur veriun e Kosovës të kontestuar dhe për të penguar konsolidimin e plotë të shtetësisë së saj.
Në këtë prizëm, marsi 2004 nuk duket thjesht si shpërthim dhune, por si një provokim i qëllimshëm për të krijuar perceptimin se multietniciteti nuk funksionon dhe se ndarja mbetet opsion politik.
Kur këto ngjarje shihen në vijimësi historike – para, gjatë dhe pas marsit 2004 – bëhet e qartë ekzistenca e një strategjie konsistente të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Kjo strategji ka ndryshuar format dhe mjetet, por jo objektivat.
Kështu, krizat nuk paraqiten vetëm si episode dhune, por si instrumente për të prodhuar pasoja politike dhe për të avancuar qëllime që nuk janë arritur përmes mjeteve të drejtpërdrejta.
Një qasje ndërdisiplinore ndaj këtyre zhvillimeve ndihmon në zhveshjen e propagandës dhe vendos fokusin te faktet.
Redaksia ZHURMA
Redaksia e ZHURMA.PRESS - Zeri i opinionit shqiptar. Analiza politike, opinione dhe lajme per shqiptaret kudo ne bote.
Të gjitha shkrimet →