Ndërron jetë në moshën 33-vjeçare ish-boksieri portorikan Prichard Colon
Ish-boksieri portorikan Prichard Colon ka ndërruar jetë në moshën 33-vjeçare, pas 11 vitesh në gjendje të rëndë shëndetësore nga një dëmtim në tru.
BOTË — Ish-boksieri portorikan Prichard Colon ka ndërruar jetë në moshën 33-vjeçare, 11 vjet pasi një dëmtim i rëndë në tru gjatë një ndeshjeje ia ndryshoi përgjithmonë jetën. Lajmin e ka bërë të ditur babai i tij, Richard Colon, përmes rrjeteve sociale, duke falënderuar të gjithë ata që e kishin mbështetur familjen gjatë këtyre viteve.
Colon konsiderohej një nga talentet më premtuese të boksit, me një rekord prej 16 fitoresh në 16 përballje para ndeshjes fatale të vitit 2015 kundër amerikanit Terrel Williams. Gjatë asaj ndeshjeje, ai u godit disa herë në pjesën e pasme të kokës dhe u rrëzua në ring në raundin e nëntë. Mjekët konstatuan se ai kishte pësuar një hematomë subdurale, ndërsa pas operacionit urgjent ai qëndroi në komë për 221 ditë dhe më pas mbeti në gjendje të rëndë shëndetësore deri në fund.