Ndalimi i një personi për ryshfet e zbulim informatash zyrtare për prona
Një person është ndaluar për 48 orë në Prishtinë pas hetimeve disamujore për korrupsion dhe keqpërdorim detyre.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
PRISHTINË — Pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet N.A. I dyshuari ngarkohet për veprat penale «Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar», «Marrja e ryshfetit» dhe «Zbulimi i fshehtësisë zyrtare».
Sipas të dhënave fillestare të hetimit nga Departamenti për Krime të Rënda, rasti ka të bëjë me dyshimet për zbulimin e informatave zyrtare lidhur me prona të caktuara personave të paautorizuar në këmbim të ryshfetit. Këto veprime dyshohet se janë kryer me qëllim të tjetërsimit të pronave, vlera e të cilave dyshohet të jetë shumë e madhe.
Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë. Prokuroria Themelore bëri të ditur se do të vazhdojë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.