Vazhdo leximin
⌕ ☆
Shoqëri

Pse mungojnë analiza për nevojat e tregut të punës në Kosovë?

Ish-zëvendësministri i Arsimit Dukagjin Pupovci thotë se universitetet publike vazhdojnë të ketë numër të madh studentësh në fusha si ekonomia dhe juridiku

Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim

Në Kosovë, përputhja e programeve universitare me nevojat e tregut të punës mbetet një ndër sfidat kryesore të arsimit të lartë. Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe eksperti i fushës, Dukagjin Pupovci, thotë se mungojnë analiza të mirëfillta për nevojat e tregut të punës. Sipas tij, universitetet publike vazhdon të ketë numër të madh studentësh në fusha si ekonomia dhe juridiku, ndonëse tregu i punës nuk ka nevojë për aq shumë kuadro.

Pse mungojnë analiza për nevojat e tregut të punës në Kosovë?
Foto: Dukagjin Pupovci / Wikimedia Commons

“Vetë fakti që del konkursi për 1100 studentë, ky është teprim. Sepse, 1100 ekonomistë këtu, edhe ta zëmë 1100 le të jenë në të gjitha katër [fakultetet] e tjera – 2200 ekonomistë çdo vit – ekonomia jonë nuk ka nevojë për një kapacitet të tillë”, thotë Pupovci. Ai përmend se 30 për qind e studentëve në Kosovë studiojnë në fushën e biznesit, administrimit dhe ligjit, që sipas tij shpesh herë detyrohen të punojnë punë për të cilat nuk kanë pasur nevojë të studiojnë fare.

Pupovci vlerëson se zgjedhja e studimeve duhet të mbështetet te prirjet personale, por edhe te mundësitë reale për punësim. Ai thotë se tregu i punës kërkon më shumë njohuri praktike dhe shkathtësi të buta, si komunikimi dhe planifikimi. “Punëdhënësit shpesh duhet të investojnë në trajnimin e të diplomuarve, sepse universiteti nuk ua jep të gjitha aftësitë që kërkon puna”, thotë ai.

Pupovci thotë se universitetet publike duhet t’i reformojnë programet e studimit, duke ofruar profile më të gjera që u japin studentëve më shumë mundësi punësimi. “Nëse tash ti dikujt ia kufizon kualifikimin vetëm në kontabilitet, tjetrit ia kufizon vetëm në banka dhe sigurime e kështu me radhë, atëherë në mënyrë artificiale krijon situata që njerëzit të mos mund të gjejnë punë lehtë”, shton ai.

Burim: Gazeta Metro, Evropa e Lirë

— Redaksia ZHURMA

Lexo edhe

Më shumë →
Facebook WhatsApp X
LIVE Tokbashqe, Prishtinë 24 kamera →
Pyet Zhurmën
Shërbime, enciklopedi dhe lajme