Mucunski takon ministrin francez Hadad në Samitin e Procesit të Berlinit
Ministri i Punëve të Jashtme diskutoi për reformat dhe integrimin evropian gjatë takimit në Mal të Zi.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, u takua me ministrin francez për Evropën, Benjamin Hadad, në kuadër të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit në Mal të Zi. Gjatë këtij takimi, ai rikonfirmoi përkushtimin e qeverisë për zbatimin e reformave dhe realizimin e qëllimit strategjik për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar vendin si partnere konstruktive dhe të përgjegjshme në rajon.
Në takim u diskutua edhe për nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian. Megjithatë, rruga euroatlantike e Maqedonisë së Veriut mbetet e bllokuar pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë, si kusht kyç i rrjedhur nga propozimi francez i miratuar në korrik të vitit 2022. Ky proces kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.