Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK për dosjen e AKSHI-t
Ish-drejtoresha e AKSHI-t paraqitet në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë.
Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Paraqitja e saj në organin e akuzës bëhet në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për dosjen e AKSHI-t. Më herët, Karçanaj ka qenë nën masën e sigurisë «arrest në shtëpi», por masa ndaj saj është zbutur nga Gjykata e Lartë dhe aktualisht ajo ndodhet nën masën «detyrim për paraqitje».
Në kuadër të këtij hetimi, ajo po ndjek detyrimin për t’u paraqitur pranë organit të akuzës, ndërkohë që hetimet për çështjen e AKSHI-t vijojnë. Ndaj Mirlinda Karçanaj janë ngritur akuza që lidhen me vepra penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për vepra të tjera penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Ajo është një ndër tetë të pandehurit në dosjen e tenderave të AKSHI-t, ku Prokuroruria e Posaçme po heton për dyshime të ngritura mbi manipulimin e procedurave tenderuese dhe favorizimin e kompanive të ndryshme. Hetimet dhe procedurat e mëtejshme për këtë çështje penale vazhdojnë sipas zhvillimeve të organit të akuzës dhe gjykatës.