Mirlind Daku kalon testet mjekësore te Spartaku i Moskës
28-vjeçari do të përfitojë pagën e 3.3 milionë eurove dhe bonusin nënshkrimi 1.5 milionë, duke u bërë një ndër lojtarët më të paguar në kampionat.
MOSKË — Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, ka kaluar me sukses kontrollimet mjekësore te Spartaku i Moskës, ndërsa 28-vjeçari pritet të zyrtarizohet së shpejti si lojtar i ri i klubit rus.
Daku ka zgjedhur të mbajë fanellën me numrin 19 dhe do të bëhet një ndër lojtarët më të paguar në kampionat, pasi pritet të përfitojë një pagë prej 3.3 milionë eurove, si dhe të marrë një bonus nënshkrimi në vlerën e 1.5 milionë eurove. Ky do të jetë një nga lëvizjet më të rëndësishme në karrierën e tij, duke e zhvendosur nga Rubin Kazani, ku ka zhvilluar 93 ndeshje me 38 gola dhe 13 asistime që nga vera e vitit 2023.
Në anën tjetër, disa tifozë të Spartakut kanë dalë publikisht për ta kundërshtuar transferimin, duke shfaqur pankarta me shkrimin "Fundërrina shqiptare jashtë!".
Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA