Pse u ekstradua Sllobodan Millosheviqi në Hagë?

Çfarë ndodhi me familjen e tij pas ekstradimit?

Pse u ekstradua Sllobodan Millosheviqi në Hagë?
Foto: Wikimedia Commons

BEGRAD — Sllobodan Millosheviq, i cili për dhjetë vjet qeverisi në mënyrë autoritare Serbinë dhe Jugosllavinë e atëhershme – të përbërë nga Serbia me Kosovën dhe Mali i Zi – u ekstradua në Hagë para 25 vjetësh. Ekstradimi u bë në ditën e Vidovdanit – një festë kombëtare e Serbisë e lidhur me Betejën e Kosovës kundër Perandorisë Osmane në vitin 1389 dhe një ngjarje me simbolikë të veçantë për nacionalistët serbë.

Ndonëse ka kaluar një çerek shekulli nga ajo kohë, në Serbi, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të jenë të fortë zërat që minimizojnë ose mohojnë përgjegjësitë e Millosheviqit për luftërat në ish-Jugosllavi, të cilat morën mbi 100 mijë jetë njerëzish, si dhe për izolimin ndërkombëtar të Jugosllavisë, që e zhyti vendin në varfëri të thellë dhe kriminalitet.

Sot, figura më e pranishme në media nga familja e Millosheviqit është nipi i tij 27-vjeçar, Marko Millosheviq. Babai i tij, djali i Sllobodan Millosheviqit, i cili po ashtu e ka emrin Marko, u largua nga Serbia menjëherë pas rrëzimit të regjimit në tetor të vitit 2000 dhe u zhvendos në Moskë, ku jeton edhe sot. Ish-bashkëshortja e tij e parë u kthye në Serbi me djalin e porsalindur dhe u vendos në shtëpinë familjare të Millosheviqëve në Pozharevc – rreth 80 kilometra në lindje të Beogradit. Pasi përfundoi studimet në Fakultetin Juridik, Marko Millosheviq hyri në politikë. Sot, ai është deputeti më i ri i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) në Kuvendin e Serbisë. Sllobodan Millosheviq e udhëhoqi këtë parti deri në vdekjen e tij, në vitin 2006, ndërsa partia nuk u distancua kurrë prej tij.

Duke folur për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, nipi i tij thotë se respekton mendimet e ndryshme për vitet ’90, por këmbëngul se ekstradimi i Millosheviqit përbënte shkelje të rendit kushtetues të Serbisë. “Unë, si jurist, nuk mund ta shoh ndryshe”, thotë ai. Marko Millosheviq është aktualisht një nga figurat më të ekspozuara të socialistëve në media. Ai shfaqet shpesh në mediat e lidhura me pushtetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mbi të cilin vazhdon të rëndojë hija e periudhës kur, si ministër i Informimit në një nga qeveritë e Millosheviqit, zbatoi ligjin famëkeq për mediat.

Nga ana tjetër, viktimat e regjimit të Millosheviqit nga komunitetet e tjera etnike nuk kanë pothuajse fare hapësirë as në media, as në politikë. Për Murat Tahiroviqin, kryetar i Shoqatës së Viktimave të Gjenocidit, kjo është dëshmi se Serbia nuk dëshiron të distancohet nga politika e Millosheviqit. “Krimet e kryera mohohen, ndërsa të gjithë ata që janë përgjigjur për këto krime, pas kthimit në Serbi, janë të pranishëm në hapësirën publike”, thotë ai.

Bashkëshortja e Sllobodan Millosheviqit, Mirjana Markoviq, u largua nga Serbia në vitin 2003 dhe u vendos në Rusi, ku fitoi azil politik. Në vitin 2005, agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, lëshoi një urdhërarrestim ndërkombëtar për të, pasi nuk u paraqit në gjykim në Serbi për akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ajo dyshohej se kishte marrë pjesë në ndarjen e paligjshme të një banese shtetërore për kujdestaren e nipit të saj. U gjykua në mungesë, por në mars të vitit 2019, Gjykata e Apelit në Beograd e shfuqizoi vendimin me të cilin ishte dënuar me një vit burg. Markoviq u hetua edhe nën dyshimet se kishte ndihmuar djalin e saj, Marko Millosheviqin, në kontrabandën e cigareve. Emri i saj u përmend edhe në hetimet paraprake për vrasjen e gazetarit serb, Sllavko Quruvija. Ajo vdiq më 14 prill 2019 në Rusi, ndërsa hiri i saj u varros pranë Sllobodan Millosheviqit, në oborrin e shtëpisë së tyre në Pozharevc.

Sllobodan Millosheviq u arrestua në prill të vitit 2001, gjashtë muaj pas Revolucionit të 5 Tetorit në Serbi, që çoi në rrëzimin e tij nga pushteti. Protestat masive shpërthyen pasi ai manipuloi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 24 shtatorit 2000, në të cilat kundërshtar kishte Vojisllav Koshtunicën. Qeveria e re serbe e arrestoi fillimisht nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Por, ai nuk u gjykua kurrë në Serbi për këto akuza. Dy muaj pas arrestimit, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konflikteve në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Prokuroria paraqiti 66 pika të aktakuzës, duke e akuzuar për përfshirje në dhjetëra krime të kryera kundër mijëra viktimave në këto tri vende, përgjatë gati një dekade. Në gjykim dëshmuan më shumë se 300 dëshmitarë për krimet e kryera nga forcat nën kontrollin e tij. Megjithatë, ai nuk e priti aktgjykimin. Vdiq në paraburgimin e Tribunalit në Sheveningen, në mars të vitit 2006.

Sllavica Gjukiq-Dejanoviq, e cila iu bashkua Partisë Socialiste të Serbisë 36 vjet më parë, mbeti në pozita të larta politike edhe pas rrëzimit të Millosheviqit. Socialistët, në fakt, kanë qenë pjesë e çdo qeverie serbe që nga viti 2008. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ajo pranon se “disa elemente të politikës së jashtme mund të ishin zgjidhur ndryshe”, por thekson si arritje të qeverisjes së Millosheviqit Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, si dhe Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë. “Nga kjo distancë kohore, mendoj se pak politikanë do ta kishin udhëhequr shtetin më mirë se ai”, thotë ajo.

Eric Gordy, profesor i Sociologjisë Politike në Universitetin e Londrës, vlerëson: “Rikthimi i figurave të asaj periudhe në hapësirën publike normalizon edhe politikat e tyre të viteve ‘90”. Ai thekson se është e qartë se njerëzit që ishin në pushtet në Serbi gjatë viteve ’90, janë edhe sot në pushtet, duke aluduar në elitën politike të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Sërgjan Millivojeviq, kryetar i Partisë Demokratike opozitare, ishte aktivist i lëvizjes studentore “Otpor”, që luftoi kundër regjimit të Millosheviqit. Edhe sot, ai e konsideron atë “dëmin më të madh politik dhe kombëtar në historinë e Serbisë”. “Në një kohë kur bota po ecte me hapa të mëdhenj drejt përparimit, ai e ndali Serbinë përmes sanksioneve që iu vendosën për shkak të politikave të tij”, thotë Millivojeviq.

Burim: TV21
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Pse Naim Rashiti thotë se gazifikimi i qymyrit nuk do të ndodhë kurrë?
  2. Si u lënduan dy qytetarë dhe tre zjarrfikës në zjarrin e Prishtinës?
  3. Pse udhëtoi Agron Llugaliu në Bruksel?
  4. Pse Rama doli në terren pas zjarrit në Prishtinë?

Vazhdo leximin