Kur pritet të nisë ndërtimi i 'Hekurudhës së shpejtë' në Maqedoni?
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se studimi i fizibilitetit është përfunduar dhe projekti është në fazë rishikimi
SKOPJË — Ndërtimi i “Hekurudhës së shpejtë” në Korridorin 10 pritet të nisë me vendosjen e gurthemelit në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, kështu njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski në 4 korrik 2026. Ai theksoi se studimi i fizibilitetit është përfunduar dhe projekti është në fazë rishikimi, ndërsa financimi tashmë është siguruar dhe do të bëhet publik së shpejti. Mickoski shtoi se nuk pret pengesa nga ndryshimet në qeverinë britanike: “Nuk pres të kemi asnjë turbulencë për shkak të ndryshimeve në qeverinë britanike. Megjithatë, është një shtet serioz dhe institucionet nuk ndryshojnë lehtë, as prioritetet nuk ndryshojnë në raport me personelin në qeveri,” deklaroi Mickoski.
Kryeministri Mickoski gjithashtu foli edhe për interkonektorin e gazsjellësit me Greqinë për të cilin tha se pritet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa paralelisht po zhvillohen edhe tre projekte të reja të gazsjellësit brenda vendit dhe drejt Kosovës. Ai theksoi se të gjitha projektet po realizohen me mjete vetanake, pa kredi, hua apo donacione: “Nuk kemi kredi, nuk kemi hua, nuk kemi donacion, nuk kemi grant, nuk kemi asgjë, por me punë shtëpiake po e bëjmë me mjete tona.” Tre projektet përfshijnë gazsjellësin që duhet të lidhë Velesin dhe Shtipin, gazsjellësin që duhet të lidhë Gostivarin me Kërçovën, dhe një degëzim që do të dalë para Tetovës dhe do të hyjë në Kosovë.
“Në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm pres që të sinkronizohet plotësisht gazsjellësi ynë nacional me atë grek. Tashmë nga NOMAGAS është shpallur interkonektori me Serbinë, kështu që gjithçka që po e themi po realizohet dhe po e bëjmë me mjete vetanake. Më tej e lëmë Qeverinë e Kosovës të vendosë nëse do të vazhdojë ta zhvillojë në territorin e saj apo jo, kjo është vendimi i tyre, por e jona është ajo që kemi biseduar ta bëjmë dhe do ta bëjmë”, shtoi kryeministri.
Sa i përket projekteve të tjera për të cilat duhet të garantojë qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të Marrëveshjes Strategjike, Mickoski tha se ndoshta në shëndetësi “do të dalim nga korniza e atyre garancive që i kemi me qeverinë britanike dhe do të shkojmë drejtpërdrejt me huadhënësit, pasi sipas analizave kushtet që ofrojnë ato institucione për disa projekte (spitalet në Shtip, Kërçovë dhe Tetovë, si dhe objektet në Shtip) mund të jenë më të favorshme se ato të marrëveshjes me Britaninë.”
Burim: TV21, https://tv21.tv/mickoski-se-shpejti-nis-hekurudha-e-shpejte-projekte-te-reja-infrastrukturor-pa-kredi-e-donacione/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.