Si përfundoi mërgimtari që kërcënoi Alaudin Hamitin?
Liman Berisha i bie pishman në gjykatë, pranon fajin për kanosje ndaj prezantuesit të BBVK-së.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
PRISHTINË — Liman Berisha, mërgimtari nga Carraleva e Malishevës që kërcënoi prezantuesin e Big Brother VIP Kosova Alaudin Hamiti, u dënua me 2.500 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Berisha, i cili jeton dhe punon në Itali, u akuzua për kanosje pasi më 26 nëntor 2024, përmes Facebook-ut dhe mesazheve zanore, i dërgoi Hamitit kërcënime serioze dhe fyese. Sipas dosjes së Prokurorisë, ai i kishte thënë prezantuesit se "besom ka me pagu me jetë" dhe "pe rrit at tone ka me honger plumin shpejt", duke i shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie.
Para shpalljes së vendimit, Berisha shprehu pendesë publike në sallën e gjyqit. "Ndihem fajtor dhe shprehi pendesë për këtë që kam thënë", deklaroi ai, duke shtuar se kjo ishte hera e parë që gjykohej. Ai rrëfeu se kishte humbur punën jashtë vendit dhe u përgjërua për dënim më të butë, me premtimin se nuk do ta përsëriste veprën.
Avokatja e Hamitit, Blinera Osmani, vuri në dukje se kërcënimi kishte çrregulluar jetën e përditshme të klientit të saj, duke e kufizuar lëvizjen dhe duke e futur në gjendje pasigurie për veten dhe familjen. Vetë Hamiti i qëndroi prapa këtij deklarimi në gjykatë.
Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA
Lexo edhe
Më shumë →Kjo histori — 4 zhvillime
- 26 maj Si përfundoi mërgimtari që kërcënoi Alaudin Hamitin? · ky artikull
- 7 tetor Alaudin Hamiti ngacmon publikun me një detaj duke ngjallur kureshtjen
- 16 tetor Alaudin Hamiti zbulon detajin e ri nga prapaskenat e Big Brother
- 27 tetor Alaudin Hamiti paralajmëron ndryshime të mëdha në edicionin e ri të BBVK-së