Meksika mbështet Infantinon në FIFA — FSHF-ja ia tërheq besimin
Meksikanët kundërshtojnë çdo përpjekje për shkarkimin e presidentit pa një votim të plotë ku marrin pjesë të gjitha 211 federatat anëtare.
MEKSIKO — Federata Meksikane e Futbollit (FMF) ka deklaruar mbështetjen për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke u distancuar nga qëndrimi kritik i Concacaf. Ky vendim i Meksikës, si bashkëorganizatore e Kupës së Botës 2026, thellon ndarjet brenda strukturave të futbollit botëror.
Përçarja vjen pas krizës së shkaktuar nga propozimi i Infantinos për investime private në turnetë e FIFA-s. Ndonëse presidenti u detyrua ta tërhiqte këtë plan pas presioneve të shumta, federata meksikane ka theksuar se mbështet lidershipin e tij për forcimin e mëtejshëm institucional.
FMF është rreshtuar me Conmebol në kundërshtimin e çdo përpjekjeje për shkarkimin e Infantinos pa një votim ku të përfshihen të gjitha 211 federatat anëtare të FIFA-s. Zyrtarët meksikanë deklaruan se nuk do të njohin asnjë proces të jashtëzakonshëm jashtë këtij kuadri të rregullt.
Qëndrimi i Meksikës bie ndesh me Concacaf, e cila ka kërkuar llogaridhënie të plotë dhe ka kritikuar planin e investimeve. Ndërkohë, në Europë kriza mbetet e thellë, pasi UEFA ka bërë të ditur se e ka humbur tërësisht besimin te presidenti aktual i FIFA-s.
Federata Angleze ka tërhequr mbështetjen për Infantinon, ndërsa federata të tjera si ajo e Uellsit apo Kroacisë po ndjekin të njëjtën rrugë. Edhe në Shqipëri, FSHF-ja ka revokuar mbështetjen e saj, ndërsa CAF dhe Argjentina vazhdojnë të mbajnë anën e kreut aktual.
Tërheqja e projektit të investimeve nuk e ka mbyllur krizën, por vetëm ka shpërfaqur ndarjet e thella rreth mënyrës se si duhet drejtuar institucioni. Kjo betejë për kontrollin e FIFA-s pritet të vazhdojë të jetë e ashpër edhe në muajt e ardhshëm.
Burim: Ekonomia Online
— Redaksia ZHURMA




