Pse mbyllet qumështorja 'Vita' në Istog?
Ministri Muja dërgon 25 inspektorë për kontrollin e verifikimin e objektit
Mbi 20 inspektorë zbarkuan te qumështorja “Vita” në Istog me urdhër të Ministrit në Detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, për të bërë kontroll e verifikim, derisa punëtorët u larguan jashtë objektit. Pas kryerjes së kontrollleve, qumështorja “Vita” është mbyllur përkohësisht. Artan Spahiu, Drejtor i kësaj qumështore, ka sqaruar se çfarë ndodhi aty dhe e ka quajtur jokorrekte qasjen e ministrit Muja dhe vërtetësve të tij. Ai ka thënë se janë detyruar ta mbyllin qumështoren, të paktën për shtatë ditët e ardhshme. “Më duhet të ndaj një lajm jo të mirë për punëtorët. Sot u njoftova se kemi një kontrollë dhe kontrolllet janë të mirëseardhura. Unë para dy muaje pata takim me ministrin Armend Muja, Hekuran Murati, Drejtorin e Doganës dhe unë i thash se jemi të hapur. Por, këta vendosen të vijnë sikurse ne të ishim kriminel. Mua u dorëzua ky vendim, që ministri e ka marrë ekstra për neve. Për të na trajtuar si kriminel. Ne kemi investuar mbi 15 milionë euro, anipse rryma vazhdimisht na vjen më shtrenjt. Ne jemi produkte të Kosovës, nuk jemi të Serbisë. Unë nuk e kam lënë asnjë fermer. E kam mbajtur premtimin. Por ju po e shkatërroni këtë. Ne kemi marrë vendim si bord që ta mbyllim. Që është vendimi më i rëndë. Ta mbyllim deri në një vendim tjetër. Të paktën për 7 ditë. Dhe këta të ministrisë nuk brengosen, se këta punëtorë do të mbeten pa pagë dhe fermerët do ta gjuajnë qumështin,” – ka thënë ndër të tjera ai.
Zyrtari i AVUK që ishte i pranishëm aty ka thënë se urdhëri u dha nga Ministri Armend Muja dhe se kontrolli po kryhet në bazë të kërkesës dhe vendimit të tij. Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka reaguar lidhur me kontrolllet zyrtare që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) po zhvillon në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, duke ritheksuar se mbrojtja e konsumatorit dhe zbatimi i legjislacionit për sigurinë ushqimore janë përgjegjësi institucionale dhe nuk mund të jenë objekt i përjashtimeve apo standardeve të dyfishta. Sipas ministrit, kontrolllet që po zhvillon AUV-ja janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, gjatë ditës së sotme është realizuar kontroll zyrtar edhe në kompaninë “Vita”, njësoj si ndaj çdo operatori tjetër ekonomik që i nënshtrohet mbikëqyrjes institucionale. “Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë, për produktet për të cilat paguajnë. Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Kontrollet nuk bëhen ndaj emrave të kompanive, por mbi bazën e mandatit ligjor. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin,” – ka deklaruar ministri Muja.
Burim: Nacionale, https://nacionale.com/politike/mbyllet-qumeshtorja-vita-ne-istog-ministri-muja-dergon-25-inspektore-krejt-cka-ndodhi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.