Llapi zyrtarizon mesfushorin kroat Pjero Shkariq
27-vjeçari vjen në Podujevë pas një sezoni me 10 gola dhe 5 asistime të realizuara për skuadrën kroate NK Hrvace.
PODUJEVË — Klubi i futbollit Llapi ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit kroat Pjero Shkariq, i cili do të përforcojë ekipin e Podujevës për edicionet e ardhshme. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga vetë klubi llapjan, duke konfirmuar arritjen e marrëveshjes me lojtarin që pritet të sjellë një dimension të ri ofensiv.
Shkariq së fundmi ishte pjesë e skuadrës NK Hrvace në kategorinë e dytë të futbollit në Kroaci, ku luajti që nga viti 2019. Gjatë sezonit të kaluar, ai pati 34 paraqitje zyrtare, duke realizuar dhjetë gola dhe pesë asistime, performancë kjo që e bëri atë një nga futbollistët më të spikatur.
Para se të transferohej te skuadra e Hrvaces, futbollisti 27-vjeçar ka pasur karrierë edhe në klube të tjera kroate si Zmaj Blato dhe Adriatic Split. Ky transferim shihet si një armë e rëndësishme për Llapin drejt arritjes së objektivave kryesore në garat e ardhshme të futbollit kosovar.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA