Limaj: Serbia mund të kontestojë pavarësinë nga Apeli në Hagë
Kreu i PSD-së bën thirrje që Qeveria dhe opozita të përgatiten për Gjykatën Speciale.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), Fatmir Limaj, ka paralajmëruar Qeverinë dhe opozitën se një vendim i dëmshëm i Gjykatës Speciale në Apel mund t’i jepë Serbisë argumente për ta kontestuar pavarësinë e Kosovës përmes një procesi të ri gjyqësor. Gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin “Politiko” në Kanal 10, ai ka theksuar se ky rrezik potencial mund të shfaqet pas tre ose katër vjetësh, prandaj institucionet dhe partitë duhet ta trajtojnë çështjen me seriozitet të lartë.
Sipas Limajt, një zhvillim i tillë do të mund të shkaktonte dëme të konsiderueshme duke ndalur njohjet e reja, investimet e huaja dhe anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare. Për t'u ballafaquar me këto sfida, ai ka kërkuar angazhimin e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Duke iu referuar procesit në Hagë, ai ka deklaruar: «Kjo betejë nuk është thjesht për katër vetë», teksa ka shtuar se atje nuk është gjykuar vetëm fati i individëve, por edhe qëllimi i luftës.