Lagjet e Prishtinës mbushen me mbeturina
Kompania Pastrimi thotë se ka vonesa për shkak të bllokimit të rrugëve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
PRISHTINË — Disa lagje të Prishtinës janë mbushur me mbeturina, kryesisht inerte dhe vëllimore. Sipas banorëve, kompania “Pastrimi” nuk ka bërë mbledhjen e tyre sipas orarit të caktuar. Gjendja është përkeqësuar në lagjen “Tokbahçe” dhe tek “Katër Llullat”. Opozita në kryeqytet thotë se kjo situatë po përsëritet për shkak të keqmenaxhimit të ekzekutivit dhe fajin ia lë kryetarit Përparim Rama.
Nga kompania “Pastrimi” kanë njoftuar se gjatë ditëve të fundit janë evidentuar disa vonesa në realizimin e shërbimeve, kryesisht si pasojë e mbylljes së rrugëve dhe kufizimeve në qarkullim që kanë vështirësuar qasjen e ekipeve në disa zona. Ndërmarrja ka shtuar se ekipet operative po vazhdojnë punën në terren dhe se do të intensifikojnë angazhimin gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë, nga Komuna e Prishtinës nuk kanë dhënë një përgjigje lidhur me këtë çështje.