Zemaj kërkon reagim nga NATO ndaj deklaratës së Daçiqit për Prizrenin
Ambasadori i Kosovës për marrëdhënie me NATO-n ka reaguar ndaj gjuhës nacionaliste të Ivica Daçiqit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
PRIZREN — Ambasadori i Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, Astrit Zemaj, ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga Ivica Daçiq, duke kërkuar reagim institucional nga kjo aleancë ushtarake pas fjalëve të thëna në Rashkë të Serbisë. Gjatë atij takimi, Daçiq përsëriti qëndrimet se Kosova nuk do të jetë kurrë e pavarur dhe deklaroi se «herët a vonë flamuri serb do të valojë mbi Prizren». Përfaqësuesi kosovar e ka cilësuar këtë gjuhë si nacionaliste dhe kërcënuese për rajonin.
Në reagimin e tij publik, diplomati kosovar theksoi se deklarata të tilla vënë në pikëpyetje realitetin e shtetit të Kosovës dhe rrezikojnë sigurinë rajonale. Ai vlerësoi se kjo retorikë i përket kohës së Slobodan Millosheviqit, periudhë kur nacionalizmi agresiv shkaktoi luftëra, shkatërrime dhe katastrofë humanitare në Ballkan. Sipas tij, Serbia funksionon si proksi i Rusisë në rajon.
Në kundërpërgjigjen e tij, ambasadori nënvizuar se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në pozitat e saj. «Ne do të jemi këtu. Republika e Kosovës do të jetë këtu, për dallim nga Serbia që është proksi i Rusisë në Ballkan, vendi ynë është rreshtuar përkrah Shteteve te Bashkuara të Amerikës, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Aleatëve tanë. Me përkushtim do të vazhdojmë të jemi partnerë kyç në mbrojtjen e paqes, lirisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në këtë pjesë të Evropës», ka shkruar ai ndër të tjera në platformat e tij komunikuese.
Ngjarja vjen në një kohë kur zyrtarët shtetërorë të Kosovës vazhdojnë të adresojnë provokimet dhe deklaratat e zyrtarëve serbë që synojnë destabilizimin e vendit. Reagimi i ambasadorit kërkon vëmendje dhe veprim nga mekanizmat ndërkombëtarë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e arritur pas sakrificave të shumta në rajon, duke shmangur përsëritjen e tensioneve të së kaluarës.