Kurti takon kryeministrin malazez, flasin për integrimin dhe bashkëpunimin
Kryeministri i Kosovës takon homologun e tij malazez në Samitin e Procesit të Berlinit, ku diskutojnë për rrugën drejt BE-së dhe infrastrukturën.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim dypalësh me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit të mbajtur më 22 tetor në Shën Stefan. Gjatë këtij takimi përmbyllës, Kurti e ka falënderuar Spajiqin për mikpritjen dhe për kryesimin e Procesit të Berlinit këtë vit, duke e përgëzuar njëkohësisht për hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kreu i ekzekutivit kosovar ka vlerësuar se Kosova dhe Mali i Zi gëzojnë marrëdhënie të mira si fqinjë dhe ndajnë progresin demokratik. «Mali i Zi është më pranë anëtarësimit në BE dhe jemi të interesuar të mësojmë nga përvoja e tij, teksa Kosova pret statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim», ka shkruar Kurti përmes një postimi në rrjete sociale.
Po ashtu, gjatë bisedimeve mes dy krerëve të qeverive është trajtuar edhe çështja e thellimit të bashkëpunimit dypalësh. Theksi i veçantë është vënë te përmirësimi dhe ndërlidhja më e mirë ndërmjet dy vendeve përmes infrastrukturës tokësore.