Kosova pret vitin 2027 për të synuar kalimin e Shqipërisë në FIFA
Pavarësisht ndeshjeve në Ligën e Kombeve dhe progresit të jashtëzakonshëm të "Dardanëve", një ndryshim pozicionesh në renditjen e FIFA-s kërkon kohë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Shqipëria dhe Kosova po zhvillojnë ndeshje të rëndësishme në grupet e tyre përkatëse në Ligën e Kombeve, duke synuar rezultate pozitive që përmirësojnë pozicionet në renditjen e FIFA-s. Në klasifikimin aktual, kuqezinjtë mbajnë vendin e 66-të, ndërsa "Dardanët" renditen dhjetë pozicione më poshtë, në vendin e 76-të, me një diferencë jo shumë të madhe pikësh.
Progresi ndër vite i përfaqësueses së Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm, duke ngjitur shkallët hap pas hapi deri në vendin rekord për të në këtë klasifikim, me synimin e qartë për ta përmirësuar edhe më tej. Edhe në skenarin ku Shqipëria humb të dy ndeshjet ndaj Finlandës e Bjellorusisë, ndërsa Kosova fiton me Izraelin dhe Irlandën, pikët e humbura dhe ato të siguruara nuk mjaftojnë për një rokadë mes tyre në klasifikim pas këtyre ndeshjeve. Për të parë një përplasje direkte dhe kalim të mundshëm në renditjen e FIFA-s, ekipet duhet të presin vitin 2027.