Kamberi, Rexhepi dhe Kurtulus i bashkohen Kombëtares së Kosovës
Lindrit Kamberi, Enis Rexhepi dhe Bleon Kurtulus janë tri prurjet më të reja të Kombëtares së Kosovës për ndeshjet në Ligën e Kombeve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Lindrit Kamberi, Enis Rexhepi dhe Bleon Kurtulus janë tri prurjet e reja të Kombëtares së Kosovës, të cilët do t'i bashkohen Dardanëve në dy ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve kundër Izraelit dhe Irlandës. Futbollistët shprehën emocionet e tyre përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kamberi u shpreh se është shumë krenar dhe mezi pret ta veshë fanellën e Kosovës. Ndërkaq, Rexhepi theksoi krenarinë që ndien sepse tashmë është pjesë e përfaqësueses. Mesazhi më emocional erdhi nga Kurtulus, i cili deklaroi: «Zemra jem ka rrah gjithmonë për Kosovën».
Dardanët do të ballafaqohen fillimisht me Izraelin në Prishtinë të shtunën, ndërsa javën e ardhshme do të udhëtojnë drejt Dublinit për duelin me Irlandën.