Komuna e Ulqinit pret zyrtarët e Ambasadës së SHBA-së
Delegacioni amerikan nga Ambasada e SHBA-së vizitoi Ulqinin për të forcuar bashkëpunimin lokal dhe zhvillimin ekonomik.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Komuna e Ulqinit ka pritur në një vizitë zyrtare të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Majkëll Kiz. Delegacioni amerikan u prit nga krerët lokalë, përfshirë kryetarin e komunës Genci Nimanbegu dhe kryetaren e kuvendit Ivana Popoviq, për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësive të zgjerimit të bashkëpunimit.
Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e Ambasadës zhvilluan takime me drejtues institucionesh, përfaqësues të arsimit, shoqërisë civile dhe sektorit privat. Ndër të tjera, delegacioni vizitoi Gjimnazin “Vëllazërim-Bashkim”, Xhaminë e Detarëve, si dhe u njoh nga afër me rëndësinë ekologjike të Kripores së Ulqinit dhe monumentet e Qytetit të Vjetër.
Përfaqësuesit e komunës shprehën mirënjohjen për interesimin e treguar, ndërsa nga Ambasada e SHBA-së u theksua se vizita të tilla thellojnë partneritetet dhe hapin mundësi të reja për investime e bashkëpunim mes qytetarëve.