Qeveria lë pa buxhet Universitetin e Ferizajt — komuna kundërshton mbylljen
Universiteti i Shkencave të Aplikuara nuk është paraparë financimi nga Ministria e Arsimit
FERIZAJT — Komuna e Ferizajt nuk lejon mbylljen e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, i konfirmuar edhe nga universiteti. Përmes Qarkores Buxhetore për vitin 2027, nuk është paraparë financimi i këtij universiteti nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përkatësisht nga Ministria e Financave, është i papranueshëm dhe thellësisht shqetësues.
Një vendimmarrje e tillë përbën jo vetëm shkelje të parimeve të funksionimit institucional, por edhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj arsimit të lartë publik në Ferizaj. Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj u themelua falë përkushtimit të jashtëzakonshëm të profesorëve, stafit dhe mbështetjes së qytetarëve, duke u shndërruar ndër vite në një institucion të respektuar akademik, me rezultate të dëshmuara brenda dhe jashtë vendit.
Mungesa e planifikimit buxhetor për këtë universitet është një precedent i rrezikshëm që rrezikon funksionimin e tij, u mbyll dyert mijëra studentëve aktualë dhe të ardhshëm dhe i mohon Ferizajt mundësinë për të zhvilluar më tej potencialin e tij akademik, ekonomik dhe profesional. Është e papranueshme që qyteti i Ferizajt, një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të Kosovës, të mbetet pa universitet publik.
Komuna e Ferizajt kërkon urgjentisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministria e Financave që të rishqyrtojnë këtë vendim dhe të sigurojnë përfshirjen e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në planifikimin buxhetor për vitin 2027 dhe vitet në vijim, në mënyrë që ky institucion të vazhdojë të funksionojë normalisht dhe të përmbushë misionin e tij në shërbim të arsimit, dijes dhe zhvillimit të vendit.
Ferizaj nuk do të lejojë mbylljen e Universitetit. Ferizaj nuk do të heshtë përballë cenimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend. Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është investim i qytetarëve, i studentëve dhe i së ardhmes së Kosovës. Mbrojtja e tij është obligim institucional dhe qytetar.
Burim: Epoka e Re
— Redaksia ZHURMA