Komisioni hetimor për rastin e Arlinda Zekajt nis përgatitjen e planit
Anëtarët e Komisionit Hetimor parlamentar janë zotuar për punë me përgjegjësi në zbardhjen e rrethanave të rastit tragjik.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, Burim Ramadani, ka kërkuar nga anëtarët që deri të mërkurën të procedojnë idetë për veprimet e ardhshme, me qëllim që të premten të nisë puna për hartimin e planit të veprimit. Gjatë mbledhjes, nënkryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, u shpreh se institucioni ka mandatin të hetojë në detaje dhe me profesionalizëm çdo veprim apo mosveprim të institucioneve përgjegjëse.
Anëtarja e Komisionit, Besa Kabashi Ramaj, theksoi se fokusi do të jetë te sigurimi i llogaridhënies institucionale dhe politike mbi bazën e provave. Ndërsa deputetja Doarsa Kica Xhelili vlerësoi se puna e anëtarëve mbetet thelbësore përballë kësaj ngjarjeje, angazhime të ngjashme për punë të drejtë shprehën edhe Adelina Tërshani e Eman Rrahmani.
Mbledhja e radhës e këtij komisioni është caktuar të mbahet të premten, ku do të diskutohet plani i veprimit dhe do të kërkohen raportet nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme për të ndihmuar në qartësimin e veprimeve.