Qumështarët kërkojnë reciprocitet ndaj Bosnjës — 13 milionë euro import
Prodhuesit vendorë kërkojnë masa ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës për 13 milionë euro importe
PRISHTINË — Shoqatat e prodhuesve vendorë dhe qumështarët kanë kërkuar nga institucionet që të marrin masa ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës. Të dhënat nga Dogana e Kosovës tregojnë për një rritje të importeve të produkteve dhe nënprodukteve të qumështit nga shteti boshnjak.
Sipas Doganës, nga viti 2023 deri më tani në Kosovë nga Bosnja janë importuar mbi 13 milionë euro produkte të qumështit. Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina nuk lejon eksportimin e këtyre mallrave atje, pasi nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe dokumentet si certifikatat veterinare.
Naser Bajraktari nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit thotë se shteti i Kosovës duhet të marrë masa ndaj importeve të qumështit që vijnë nga Bosnja dhe Hercegovina. Sipas tij, importet po krijojnë një treg të pabarabartë.
Edhe nga Shoqata e Prodhuesve Vendorë ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të përmirësuar prodhuesit vendorë. Kushtrim Ajvazi nga kjo shoqatë ka thënë se prodhimi në Kosovë është gjendje jo të mirë.
“Prodhuesit po përballen me dy situata: në një anë po kërkohet me prodhuar cilësi (që ka kosto), e në anën tjetër kur dalin me çmime në raft po pyesin pse prodhimi vendor po del kaq shtrenjtë. Po del shtrenjtë sepse këtu duhet me funksionuar zinxhiri shtetëror, ku në situata të caktuara — sikurse është rasti i qumështit aktualisht — duhet t’ju gjendet zgjidhja.
Me 67 centë po hyn importi, ndërkohë po kërkohet me grumbulluar prej fermerit me 50 centë. Ku janë kostot e tjera të përpunimit, paketimit, marzha e prodhuesit dhe marzha e marketit për me dalë në raft? Është e pamundur me i përballuar” – ka thënë Ajvazi.
Në anën tjetër, ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj, ka thënë që është në dorën e Qeverisë së Kosovës që të marrë masa. Sipas tij, reciprociteti ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës do të ishte njëra prej tyre.
“Por edhe produktet që vijnë e që kanë elemente të dampingut apo elementeve të tjera mund t’i hetojë Departamenti i Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë. Unë do të doja një qeveri që krijon reciprocitet me cilindo shtet, përveç rasteve kur e kemi të pamundur me zëvendësuar diçka që i krijon problematika tregut kosovar.
Në vitin 2013, Kosova kishte vendosur një taksë prej 10% ndaj produkteve të Bosnjë-Hercegovinës, por ajo ishte larguar pas një viti. “Bosnja ka pasur dikur një masë takse 10% për të gjitha produktet që vinin nga Bosnja, por në vitin 2014 kjo masë është hequr në mënyrë të çuditshme dhe nuk është rivendosur më asnjëherë” – ka thënë Mulaj.
Në një intervistë për Kallxo Përnime, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kanë nisur grumbullimin e informacioneve mbi bazën e dyshimeve për çmimet dumping nga importet e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë këtij viti in Kosovë janë importuar 1 milion e 886 mijë euro vlerë e produkteve të qumështit.
Burim: Kallxo, https://kallxo.com/lajm/kerkohet-reciprocitet-dhe-masa-anti-dumping-ndaj-importeve-te-qumeshtit-nga-bosnja/
— Redaksia ZHURMA