“Mora fjalë” hiqet nga YouTube, heqja e këngës ngre pikëpyetje
Versioni origjinal i këngës së interpretuar nga Shkurte Fejza nuk gjendet më në platformë, duke ngritur pikëpyetje tek publiku.
Kënga e njohur “Mora fjalë”, e interpretuar nga Shkurte Fejza dhe e kushtuar figurës së Adem Jasharit, nuk gjendet më në YouTube. Kjo krijimtari muzikore, e cila ndër vite ka marrë zemrat e mijëra shqiptarëve dhe ka grumbulluar dhjetëra miliona shikime, është hequr nga versioni i saj origjinal në platformë.
Sipas informacioneve, zhdukja e kësaj kënge lidhet me Naim Gjoshin, autorin e saj. Gjoshi më herët ka shprehur pakënaqësi lidhur me përdorimin e veprës dhe të drejtat e autorit. Ai ka pretenduar se, pavarësisht se është autori i këngës, nuk ka përfituar nga përdorimi i saj gjatë gjithë kësaj kohe.
Një kërkim në platformën YouTube tregon qartë se versioni origjinal nuk është më i disponueshëm për dëgjuesit. Megjithatë, në platformë janë ende të pranishme video të ndryshme nga studio televizive, koncerte dhe evente të ndryshme ku kjo vepër është interpretuar nga artistë të tjerë.
Kjo krijimtari konsiderohet si një prej këngëve më të njohura shqiptare të dekadave të fundit dhe është interpretuar në shumë raste e ceremoni zyrtare apo artistike. Pavarësisht zhvillimeve dhe diskutimeve në opinion, deri më tani as Naim Gjoshi dhe as Shkurte Fejza nuk janë prononcuar publikisht për heqjen e këngës nga YouTube.
Për momentin, e gjithë kjo histori mbetet vetëm në kuadër të aludimeve. Mbetet për t’u parë në vazhdim se si do të rrjedhin ngjarjet dhe nëse do të ketë ndonjë reagim zyrtar nga palët e përfshira rreth kësaj çështjeje të të drejtave të autorit dhe përdorimit të mëtejshëm të veprës.
Burimet: Bota Sot; Veriu.info; Zhurnal.mk; Telegrafi.