Karateistët e rinj të Kosovës fitojnë dhjetë medalje në Stamboll
Pjesëmarrësit e rinj nga Kosova shkëlqejnë në Kampionatin Ballkanik për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21 në Turqi.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Karateistët e rinj të Kosovës kanë shënuar sukses në Kampionatin Ballkanik për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21, ngjarje e cila u mbajt në Stamboll të Turqisë. Ekipi kosovar e ka mbyllur këtë garë me gjithsej shtatë medalje në konkurrencën individuale dhe tri të tjera në atë ekipore.
Në garat individuale, suksesin më të lartë e ka arritur Emira Maqedonci, e cila është stolisur me medaljen e artë. Ndërkaq, performancë të lartë kanë shfaqur edhe Suela Arfi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi, të cilët kanë fituar medalje të argjendta, kurse me medalje të bronzta janë kthyer Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku.
Në konkurrencën ekipore, ekipet e kadetëve të djemve dhe të vajzave kanë rrëmbyer medalje të bronzta, ndërsa po ashtu medalje të bronztë ka fituar edhe ekipi i juniorëve në konkurrencën e djemve. Lidhur me këtë arritje ka reaguar Federata e Karatesë e Kosovës, e cila e ka cilësuar rezultatin si dëshmi të punës dhe përkushtimit të sportistëve. «Një sukses i jashtëzakonshëm që dëshmon talentin, punën dhe potencialin e sportistëve tanë. Urime sportistëve, trajnerëve dhe gjithë ekipit. Vazhdojmë krenarë, me zemër e shpirt për Kosovën», thuhet në njoftimin e Federatës.