Kaja Kallas anulon vizitën në Mal të Zi për shkaqe shëndetësore
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme nuk do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.
PODGORICË — Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e ka anuluar shkuarjen në Mal të Zi për shkak të problemeve shëndetësore. Ajo do të duhej të merrte pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, si dhe në Dialogun për politikën rinore në Budva.
Sipas një bashkëpunëtori të afërt të saj, Kallas është sëmurë dhe nuk ka mundur të udhëtojë sot, raporton vijesti.me. Ai tha se ajo "pendohet që po e humb samitin", se po punon nga shtëpia dhe pritet të kthehet në zyrë brenda pak ditësh.
Kallas kishte planifikuar gjithashtu të hapte Forumin e Rinisë së Ballkanit Perëndimor së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe të merrte pjesë në një darkë pune në Kotor të organizuar nga presidenti Jakov Milatoviq. Samiti BE–Ballkani Perëndimor do të mbahet nesër në Tivat me organizim të Milatoviqit.
Burim: Zëri
— Redaksia ZHURMA