Pse u ndalua përdorimi i ujit nga ujësjellësi i Gostivarit?
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon ujë të paketuar pas dyshimit për shkak të sigurisë
— GOSTIVAR — Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka publikuar rekomandime për popullatën e Gostivarit, pas ndalimit të përdorimit të ujit për pijshëm nga ujësjellësi i qytetit. Vendimi u morr nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë më 17 korrik, për shkak të dyshimit se uji është i ndotur dhe i pasigurt për përdorim.
Sipas ISHP, uji nga ujësjellësi i qytetit nuk guxon të përdoret për pijshëm, as pasi të jetë vluar, përveç nëse institucionet kompetente japin ndonjë rekomandim tjetër. Për pirje, përgatitje të ushqimit, larje të pemëve dhe perimeve që konsumohen të freskëta, përgatitje të akullit, kafesë, çajit, lëngjeve dhe ushqimit për foshnja, qytetarët duhet të përdorin ekskluzivisht ujë të paketuar fabrikisht, përkatësisht ujë të shisheve.
ISHP rekomandon larjen e rregullt të duarve me sapun dhe ujë të sigurt, e nëse kjo nuk është e mundur, të përdoren mjete për dezinfektim me bazë alkooli kur duart nuk janë dukshëm të ndotura. Për larjen e dhëmbëve gjithashtu duhet të përdoret ekskluzivisht ujë i sigurt, ndërsa gjatë dushit dhe larjes rekomandohet përdorimi i ujit të sigurt ose të vluar, duke pasur kujdes që ai të mos gëlltitet.
Uji i pasigurt mund të jetë burim i infeksioneve bakteriale, virale dhe parazitare që shkaktojnë gastroenterit. Qytetarët që do të ndjejnë simptoma si diarre, të vjella, mundim, ngërçe në stomak, temperaturë të ngritur, dobësi ose shenja të dehidratimit duhet të lajmërohen menjëherë te mjeku amë ose në institucionin më të afërt shëndetësor.
Kujdes i veçantë rekomandohet te foshnjat, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike ose imunitet të dobësuar. Nga Instituti apelojnë që qytetarët t’i ndjekin rregullisht njoftimet e institucioneve kompetente, ndërsa ujin nga ujësjellësi i qytetit ta përdorin përsëri për pijshëm vetëm pas kumtesës zyrtare se ndalesa është shfuqizuar dhe se uji është i sigurt.
Burim: Tetova Sot, https://tetovasot.com/2026/07/ishp-nxjerr-rekomandime-per-gostivarin-uji-i-ujesjellesit-nuk-ben-te-pihet-as-pas-vlimit-te-perdoret-uji-i-paketuar/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.