IPK rekomandon suspendimin e drejtorit të Prokurimit të Policisë
Inspektorati Policor i Kosovës kërkon suspendimin nga detyra të drejtorit të Prokurimit në Policinë e Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim detyre dhe konflikt interesi.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të drejtorit të Prokurimit të Policisë, pasi hetuesit e IPK-së po zhvillojnë një hetim paraprak ndaj zyrtarit për dyshimet rreth keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konfliktit të interesit në proceset e prokurimit publik. Sipas njoftimeve zyrtare, hetimet po koordinohen me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përqendrohen në rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.
Hetuesit po shqyrtojnë vendimmarrjen, mënyrën e zhvillimit të procedurave si dhe respektimin e kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës. IPK ka theksuar se ky rekomandim për suspendim jepet për të garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e hetimit penal deri në përfundimin e tij, ndërsa për shkak të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor nuk mund të jepen detaje të tjera në këtë fazë.