Human Plus ofroi shërbime pa licencë — gjobitet me 3,000 euro
Poliklinika ofron shërbime të palicencuara dhe angazhohet staf pa licencim, duke paraqitur rrezik për shëndetin dhe jetën e pacientëve
PRISHTINË — Veprimtaria e shumë institucioneve private shëndetësore në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë për institucionet, pasi një pjesë e tyre operojnë në kundërshtim me ligjin, duke ofruar shërbime të palicencuara dhe duke angazhuar staf pa licencim, çka paraqet rrezik për shëndetin dhe jetën e pacientëve. Sipas një vendimi të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, të siguruar nga Veriu.info, poliklinika "Human Plus" Sh.P.K. në Prishtinë është gjobitur me 3 mijë euro për shkelje të dispozitave të Ligjit për Shëndetësi, pasi ka ofruar shërbime shëndetësore me staf të palicencuar, ka lëshuar analiza laboratorike pa nënshkrimin e biokimistit dhe ka kryer edhe shkelje të tjera të rënda.
Inspektorët kanë konstatuar se ofroheshin tri shërbime mjekësore të palajmëruara dhe të palicencuara në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë. Shërbimet që, sipas inspektoratit, funksiononin pa licencim ishin Mjekësia Familjare, Pediatria dhe ORL-ja.
Përveç kësaj, inspektorët kanë konstatuar se në mënyrë të paligjshme punonin edhe këta profesionistë shëndetësorë: Dr. Fatime Muslim Gashi – specialiste e Mjekësisë Familjare; Dr. Arbnora Këpuska – specialiste e Pediatrisë-Reumatologjisë; Dr. Xhevdet Gojnovci – neonatolog; Dr. Flamur Uka – specialist i ORL-së; Festa Zylfiu – BSc. teknik i laboratorit; Bashkim Nuhiu – teknik laborant; Rinesa Sopjani – BSc. në infermieri.
Inspektorati Shëndetësor ka konstatuar gjithashtu se aparatura laboratorike ishte në funksion dhe se ishin kryer analiza laboratorike, por ishin evidentuar analiza të lëshuara në emër të biokimistit, të vulosura me vulën zyrtare të institucionit, por pa faksimil dhe pa nënshkrimin e tij.
Gjatë kontrollit janë konstatuar edhe shkelje të tjera. Inspektorët kanë gjetur një numër të konsiderueshëm reagentësh me afat të skaduar, në kundërshtim me nenin 13, paragrafi 2, të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi. "Po ashtu gjatë kontrollit të hapësirës së laboratorit mikrobiologjik u gjetën produkte dhe materiale laboratorike me afat të skaduar. Gjatë inspektimit u konstatua se antishokterapia ishte e pakompletuar, duke mos përmbushur kushtet e kërkuara për ofrimin e reagimit adekuat në situata emergjente", thuhet në arsyetimin e vendimit të Inspektoratit Shëndetësor.
Në fund të vendimit thuhet se Institucioni Privat Shëndetësor "Human Plus ShPK" – Prishtinë ka shkelur dispozitat ligjore në fuqi, konkretisht nenin 42, paragrafi 1, të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi, shkelje e sanksionuar me nenin 94 të të njëjtit ligj, të plotësuar dhe ndryshuar me nenin 3, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 të Ligjit Nr. 08/L-048 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetësi.
Çfarë thotë "Human Plus"? Veriu.info ka publikuar edhe qëndrimin e "Human Plus" lidhur me gjobën dhe gjetjet e Inspektoratit Shëndetësor pas inspektimit të kryer më 15 prill. Nga kjo poliklinikë është thënë se të nesërmen pas inspektimit janë ndërmarrë masa dhe se çdo vërejtje është trajtuar me përgjegjësi.
"Qëndrimi ynë rreth gjobës ndaj nesh konsiderojmë që është i shpejtuar dhe shumë i lartë, pasi që nuk kanë marrë për bazë atë çfarë kemi thënë ne, duke treguar një për një arsyet e çdo vendimi dhe konkludimi të tyre. Është e ditur mirëfilli që Poliklinika jonë ka qenë dhe mbetet e përkushtuar dhe e përgjegjshme duke zbatuar me përpikmëri të gjitha dispozitat ligjore dhe duke zbatuar etikën profesionale në të mirë të pacientëve tanë", kanë deklaruar nga "Human Plus" për Veriu.info.
Sa i përket shtatë profesionistëve që, sipas inspektoratit, punonin pa regjistrim, "Human Plus" ka komentuar vetëm rastin e Dr. Arbnore Batalli Këpuskës. "Është për të ardhur keq me quajtur Dr Arbnore Batalli Kepuska, që ka punuar në mënyrë ilegale kur Human Plus me vite e ka pas të liqencuar drejtimin e Pediatrisë dhe për pak kohë ka skaduar data e riliqencimit të cilin ne e kemi bërë kërkesën për riliqencim. Ka pas probleme në sistem të Ministrisë së Shëndetësisë. Sa i përket mjekësisë familjare ne deri këtë vit nuk kemi pas të liqencuar drejtimin, ku këtë vit kemi vendosor të bëjmë liqencimin e këtij drejtimi ngase ka kërkesë për mjekë familjarë dhe Dr Fatime ka sjellë liqencën që ne të vazhdojmë me procedim të liqencimit, kuptohet fillimisht si punë testuese, pa asnjë efekt financiar.
Kush është "Human Plus"? "Human Plus" është kompani e themeluar në Prishtinë në vitin 2011, me aktivitet kryesor në fushën e mjekësisë së specializuar. Në objektin e saj figuron si qendër diagnostike, ndërsa në komunikimet zyrtare prezantohet si poliklinikë. Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), pronare e "Human Plus" është Sebahate Ahmetaj, e cila zotëron 100 për qind të aksioneve të kompanisë, ndërsa në dokumentet e Ministrisë së Shëndetësisë si themelues figuron Gazmend Ahmetaj. Sebahate Ahmetaj, përveçse figuron si pronare e kompanisë, në rrjetet sociale prezantohet edhe si mikrobiologe në këtë poliklinikë. Ndërkaq, Gazmend Ahmetaj në rrjetet sociale prezantohet edhe si CEO i Hotel Derand në Prishtinë.
Burim: Insajderi, https://insajderi.org/inspektorati-zbulon-shkelje-serioze-ne-human-plus-poliklinika-gjobitet-me-3-mije-euro-per-staf-te-palicencuar-dhe-sherbime-ilegale/
— Redaksia ZHURMA