Haxhiu: Diskutuam me ambasadorin Hargreaves për agjendën evropiane
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, për të biseduar rreth reformave dhe projektligjeve të Planit të Rritjes.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka biseduar për përparësitë legjislative të institucionit që ajo drejton dhe rolin e tyre në avancimin e agjendës evropiane të vendit.
Në një njoftim të bërë publik në rrjetin social Facebook, ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit është theksuar përkushtimi për t'i çuar përpara reformat përmes dialogut dhe bashkëpunimit mes parlamentarëve. Haxhiu theksoi se biseda përfshiu gjithashtu projektligjet që ndërlidhen me Planin e Rritjes, duke nënvizuar se është folur për «rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar për shqyrtimin e tyre të mirëfilltë dhe miratimin brenda afateve të parashikuara».
Kryeparlamentarja i ka shprehur mirënjohjen diplomatit britanik për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i tij i ka ofruar Kosovës, si dhe ka shprehur gatishmërinë për ta zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet dy palëve.