Haxhiu: Byroja s’ka kompetencë konfiskimi direkt, vendos gjykata
Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar nuk do të vendosë vetë për konfiskimin.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar do të verifikojë pasuritë e zyrtarëve publikë dhe personave të tretë, por vendimi përfundimtar për konfiskim do të merret nga gjykata. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar këtë ligj si një nga mekanizmat më të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Haxhiu ka shpjeguar se verifikimi mund të nisë nga deklarimet, me iniciativë të vetë institucionit, përmes raporteve nga institucionet ose nga qytetarët dhe palët e treta. «Kur ka shpërputhje nga të ardhurat, pra paga e zyrtarit, dhe në anën tjetër pasuria, atëherë kërkon që ajo pasuri të arsyetohet, të justifikohet», ka deklaruar ajo, duke shtuar se ligji do të vlejë edhe pas përfundimit të mandatit për zyrtarët.
Para dekretimit nga presidentja, ligji duhet të kalojë afatin tetëditor për dërgim të mundshëm në Gjykatën Kushtetuese. Pas hyrjes në fuqi, Kuvendi do të zgjedhë drejtorin e Byrosë, ndërsa mekanizmi synon të shërbejë edhe si masë parandaluese kundër pasurimit të paligjshëm në politikë.